"IFIMES": Berisha nuk krijon dot mazhorancë
Instituti Ndërkombëtar për Studimet në Lindjen e Mesme dhe Ballkan ka paraqitur një analizë për situatën politike në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve parlamentare që zhvillohen më 28 qershor. Sipas këtij instituti, liderët e partive politike kanë përdorur slogane të përgjithshme, duke shfaqur një mungesë të mesazheve politike. Por sipas sondazheve më të fundit të zhvilluara, PD-ja e kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha, renditet e para në mbështetjen që partitë politike kanë marrë nga populli, ndërsa për PS-në, të drejtuar nga Edi Rama, është shënuar një rënie e saj. Ndërsa sondazhet e zhvilluara disa javë më parë tregonin se PS-ja gëzonte mbështetjen më të madhe nga populli shqiptar, por kjo mbështetje ka rënë ndjeshëm, pasi pikët kanë shkuar në favor të Partisë Demokratike. Rezultatet e sondazheve të zhvilluara në vendin tonë jo gjithmonë reflektojnë qëndrimin e elektoratit në ditën e votimeve. Megjithatë, këto sondazhe përbëjnë bazën për vendosjen e strategjive të zgjedhjeve dhe për diskutimet e analizat kryesore mbi rezultatet. Sipas tonazheve të zhvilluara nga ky institut, arsyet për rënien e mbështetjes për socialistët janë disa. Së pari PS-ja ka qenë efektive para një viti e gjysmë se të niste fushata, tani po shfaqen shenja lodhjeve, ndërsa fushata e PD-së është më intensive, duke u përdorur më shumë retorikë politike që po i bën apel elektoratit. PS-ja nuk e ka moderuar fjalimin politik; aktivitetet e opozitës janë ende të dobëta; opozita po shpenzon shumë energji për mosmarrëveshjet e brendshme etj.