Blushi: Korrupsioni po i varfëron shqiptarët
Kandidati socialist në Qarkun e Korçës, Ben Blushi, deklaroi dje se 95% e shqiptarëve po varfërohen për shkak të aferave korruptive të Kryeministrit Berisha. Blushi ishte në lagjet 11 e 12 të qytetit të Korçës. Drejtuesi socialist gjatë takimeve derë më derë dhe mitingut të zhvilluar ka konstatuar varfërimin e korçarëve në këto 4 vjet. "Nëse dikush pyet sot një fëmijë 5-vjeçar dhe një të moshuar 95-vjeçar për të përshkruar se cili është Sali Berisha dhe cili është Edi Rama, ata do të thoshin të dy se Sali Berisha është ai që bëri ‘97-n, kurse Edi Rama ai që ndërtoi Tiranën dhe që do të ndërtojë Korçën dhe gjithë Shqipërinë. Sali Berishën nuk e do Korça dhe për rrjedhojë nuk e do e gjithë Shqipëria", tha Blushi.