E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi, mazhoranca kundër projektit të opozitës

10/03/2010 Anëtarët në komisionin e Ligjeve paraqesin argumentet dhe kundërargumentet

Mazhoranca e ka cilësuar antikushtetuese kërkesën e opozitës për hapjen e kutive dhe këqyrjen e materialeve zgjedhore të kutive të votimit që u përdorën në zgjedhjet e 28 qershorit, propozim i prezantuar nga PS-ja përmes amendimit të ligjit për komisionet hetimore. Anëtari i Partisë Demokratike në komisionin parlamentar të Ligjeve, Viktor Gumi, në relatimin që u bëri propozimeve të PS-së pranoi disa nene si të qenësishme, por kundërshtoi nenin që synonte zgjerimin e mjeteve dhe instrumenteve hetimore. Ai rekomandoi që projektligji të përqaset me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Mbi bazën e praktikës kushtetuese shqiptare dhe asaj ndërkombëtare të cituar më lart, kjo pikë ka nevojë të riformulohet, sepse është në kundërshtim me Kushtetutën. Aktivitetet e komisioneve nuk duhet të zëvendësojnë dhe as të marrin kompetencat e organeve të cilat për shkak të ligjit (Kushtetutës) janë të detyruara të realizojnë kompetenca të këtilla. Komisionet, duke qenë organizma të brendshëm të Kuvendit, nuk duhet të vendosen në pozicionin e një ‘super organi’, superior mbi organet e tjera të autoritet publik”, tha Gumi gjatë prezantimit të relacionit dhe gjatë përgjigjeve të pyetjeve të deputetëve të opozitës. Sipas tij, hetimi parlamentar për të qenë kushtetues nuk duhet të jetë i gjerë, por i fokusuar ngushtësisht në ato çështje që janë subjekt kontrolli parlamentar, nuk prekin kompetencat e organeve të tjera të krijuara me ligj dhe që lidhen me funksionin e ligjbërjes. “Komisioni hetimor parlamentar ngrihet kur ekziston në fakt çështja e veçantë dhe jo për të parë nëse mund të zbulohet ose të gjendet ndonjë e tillë në të ardhmen”, vijoi ai. Nga ana tjetër relatori i PS-së, Sajmir Tahiri, e mbështeti relacionin e tij ndaj projektligjit pikërisht mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “Megjithëse hapja e kutive, këqyrja e materialeve zgjedhore dhe fletëve të votimit nuk ndalohet nga asnjë dispozitë e legjislacionit aktual në fuqi, me këtë dispozitë të re synohet përcaktimi i një standardi hetimor me mjete dhe instrumente të pakushtëzuara nga vullneti i mazhorancës. Kufizimi i mjeteve dhe instrumenteve hetimore përbën shkelje të Kushtetutës”, tha ai.

Paralajmërimi i opozitës

Mbledhja e djeshme e komisionit parlamentar nuk kaloi pa debate të karakterit procedural mes anëtarëve të të dy blloqeve politike, e shoqëruar edhe me “kërcënimin” e opozitës për bojkot të mbledhjes. “Përgjigjja juaj s’mund të jetë sallatë propagandistike. Modeli me megafon s’është model i komisionit”, tha kreu i komisionit, Ilir Rusmali. Socialisti Fatmir Xhafa nga ana e tij kërkoi respektimin e kolegëve. “Ju lutem mos fyeni kolegët e opozitës! Nëse vazhdoni kështu, do t’u kërkoj kolegëve të mos e vazhdojnë këtë mbledhje”, tha ai.

Pakënaqësia e mazhorancës

Deputetët e mazhorancës nuk kanë dalë të kënaqur nga përgjigjet e kolegëve të tyre opozitarë mbi projektligjin e propozuar prej tyre. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë që nuk mund të ketë kontroll hipotetik apo prova imagjinare. Ne nuk mund të kontrollojmë banesën e dikujt, pasi kjo është kompetencë e prokurorisë. Z. Tahiri, ju lutem përgjigjuni me ‘po’ ose me ‘jo’ pyetjes: komisioni hetimor do të bëjë kontroll banese?”, ka ricituar kreu i komisionit, Rusmali, pyetjen e bërë nga sekretari i komisionit, Eduard Halimi.

Vendimi nr. 18

Objekti dhe fusha e veprimit të komisioneve hetimore duhet të respektojë parimet kushtetuese duke mos cenuar pavarësinë dhe mos penguar veprimtarinë e organeve të pushteteve të tjera. Kufizimi që mund t’i bëhet objektit të hetimit me argumentin se nuk respektohen parimet kushtetuese, s’e bën një vendimmarrje të tillë përfundimtare dhe të pakontrollueshme nga pikëpamja e kushtetutshmërisë, për arsye se do ta vendoste të drejtën kushtetuese të pakicës në vlerësimin e shumicës, duke dhunuar ushtrimin normal të kësaj të drejte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›