E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bashkimi për Mesdheun, pjesë e politikës tonë të integrimit

10/03/2010 Meta drekë pune me ambasadorët, merr pjesë dhe Montobio

Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, dha dje një drekë pune për ambasadorët rezidentë të vendeve anëtare të Bashkimit për Mesdheun, në kuadër të së cilës u zhvilluan biseda lidhur me angazhimin politik të Shqipërisë dhe projektet konkrete të këtij organizmi. Në fjalën e tij, Meta theksoi rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit në kuadër të BpM, i cili përbën një dimension relativisht të ri në politikën e jashtme shqiptare, me mundësi të reja dhe të shumta ndërveprimi, shkëmbimi e bashkëpunimi për çështje të rëndësishme në interes të vendit, të rajonit të Mesdheut e më gjerë. “Bashkëpunimin në kuadër të Bashkimit për Mesdheun, ne e shohim si një vlerë të shtuar të politikës sonë të jashtme dhe si pjesë komplementare të procesit tonë të integrimit”, tha Meta. Ai theksoi më tej synimin e Qeverisë për të dinamizuar pjesëmarrjen e Shqipërisë jo vetëm në forumet e dialogut politik, por kryesisht në ato të bashkëpunimit konkret në fushën ekonomike, të kulturës, arsimit etj. “Për këtë qëllim ne kemi përgatitur një plan konkret pune, ku përfshihet edhe mundësia e organizimit në Shqipëri të ndonjë takimi ministerial në fushën e energjisë apo të kulturës” tha Meta. Nga ana e tij, përfaqësuesi i kryesisë së radhës së BE-së, ambasadori i Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobbio theksoi objektivat prioritare të Bashkimit për Mesdheun, që kanë të bëjnë me transformimin e ideve në realitet me qëllim krijimin e një zone paqeje, dialogu ndërkulturor dhe prosperiteti në rajonin e Mesdheut. Në fund, bashkëbiseduesit theksuan se kjo drekë pune përkon me një periudhë të rëndësishme të riorganizimit dhe ridimensionimit të bashkëpunimit në kuadër të Bashkimit për Mesdheun, duke u ndalur edhe në objektivat që duhen arritur dhe në sfidat e bashkëpunimit për të ardhmen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›