E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILDKP dërgon në Prokurori kryetarin e komunës Udenisht

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzoi penalisht kryetarin e komunës Udenisht të Pogradecit, Nexhmi Dokollari, pasi dyshohet se nuk ka deklaruar një pasuri të paluajtshme prej 2193 m2 dhe me vlerë ndërtimi rreth 45 milionë lekë të reja. “Kryetari i komunës Udenisht, Pogradec, Nexhmi Dokollari, kallëzohet penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) për “mosdeklarimin e një pasurie me sipërfaqe 2193 m2 dhe me vlerë ndërtimi 45.261.327 lekë të reja”, përfundim i cili rezultoi pas një hetimi të plotë administrativ, nga verifikimi në terren dhe ekspertiza e realizuar nga ekspertë vlerësues për pasuritë”, - thuhet në njoftimin zyrtar të ILDKP-së. Në të njëjtin njoftim, Inspektorati i Lartë shprehet se deklaratat e kreut të komunës nuk përputheshin me kontrollin në terren. “Bazuar në këto të dhëna, Inspektorati i Lartë kërkoi sqarime nga subjekti Dokollari, i cili u shpreh se nuk i ka paraqitur në deklaratën e pasurisë, pasi në pronën në emër të tij, të përfituar në vitin 1992 nga ligji nr. 7501, po ndërtohet një objektit 1-2-4 kate, me vlerë totale 8 milionë lekë të reja, “të realizuar me të ardhurat e vëllait të tij, emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por janë regjistruar në emër të tij për lehtësi procedurash”. Për këto veprime financiare me personin e tij familjar, nuk ka paraqitur në ILDKP asnjë provë që vërteton versionin e tij. Ndërsa, sa i përket aktivitetit privat, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), është shprehur se nuk e ka deklaruar, pasi “ky aktivitet nuk është hapur asnjëherë” për probleme teknike me ndotjen e ambientit”, - thotë njoftimi. Subjekti Nexhmi Dokollari paraqiti kundërshtimet e tij për përfundimet e raportit, por Inspektorati i Lartë vlerësoi se ekzistojnë elementë të vërtetuar me prova ligjore për “fshehjen e pasurisë” nga ana e kryetarit të komunës Udenisht në Pogradec.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›