E Diel, 1 Nëntor 2026

ILDKP kallëzon penalisht 3 zyrtarë

12/01/2009  Subjektet ligjore fshehën pasurinë

Inspektorati i Lartë i Kontrollit, Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të depozitojë sot në Prokurorinë e Tiranës kërkesën për ndjekje penale të tre zyrtarëve të nivelit të dytë. Burime deklarojnë për “Metropol”, pa bërë publik emrat e tyre, se zyrtarët në fjalë që kanë detyrimin e deklarimit të pasurive të tyre si dhe burimin, kanë rezultuar se kanë fshehur pasurinë. Ndërkohë që pranë këtij institucioni ka nisur procesi për deklarimet e reja të pasurisë së zyrtarëve të lartë për këtë vit, afat i cili përfundon më 31 mars. Ndryshe nga vitet e mëparshme, me qëllim forcimin e mekanizmave të parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave dhe korrupsionit, ILDKP ka shtuar kategorinë e subjekteve që kanë detyrimin të deklarojnë pasuritë e tyre. Formulari i ri i deklarimit të interesave private saktëson detyrimin për deklarim të interesave private dhe burimin e krijimit të tyre, për fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare, detyrim i cili nuk është aplikuar deri më tani. Në këtë mënyrë, Inspektorati i Lartë synon shmangien e regjistrimit në emër të fëmijëve jashtë certifikatës familjare, të pasurive të fituara në mënyrë të dyshimtë nga zyrtari, si edhe shmangien e përfitimit të padrejtë të kësaj kategorie personash të lidhur me zyrtarin, si rrjedhojë e pozicionit publik të subjektit. Në formularin e ri të deklarimit të interesave private, është vendosur një hapësirë e caktuar për gjeneralitetet të personave të lidhur me zyrtarin për të cilët ligji parashikon kufizime të posaçme ashtu si dhe për zyrtarët subjekt deklarimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›