E Diel, 1 Nëntor 2026

ILDKP kallëzon penalisht kreun e komunës së Udenishtit

22/12/2009  Nga verifikimi për herë të parë në terren zbulohet fshehja e truallit 2193 metra katrorë
Pas një hetimi të plotë administrativ nga verifikimi në terren dhe ekspertiza e realizuar nga ekspert vlerësues për pasuritë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive zbuloi mosdeklarimin e një pasurie me sipërfaqe 2193 metra katrorë nga kryetari i komunës së Udenishtit, Pogradec, Nexhmi Dokollari. Për këtë arsye ky institucion, në zbatim të ligjit, vendosi ta kallëzojë atë penalisht për mosdeklarimin e një pasurie me vlerë ndërtimi 45 261 327 lekë të reja. Inspektorati i Lartë sqaron përmes një deklarate për shtyp se nisi një hetim administrativ lidhur me vërtetësinë e vetëdeklarimit të Dokollarit, bazuar në procedurat e kontrollit të përcaktuara me ligj dhe mbi dyshime të publikuara në media mbi aktivitetin publik të subjektit në fjalë. Pas korrespondencës me të gjitha institucionet, ku administrohen regjistra publikë, rezultoi se në deklaratat e interesave private në vite të ndryshme subjekti me funksion kryetar komune nuk ka deklaruar një sipërfaqe truall-ndërtimi 600 metra katrorë (përgjigje nga ZVRPP-Pogradec) dhe një aktivitet privat-person fizik për prodhimin inertesh (përgjigje nga QKR). I pyetur nga ILDKP-ja mbi këto mosdeklarime, subjekti Dokollari e justifikoi mosparaqitjen në deklaratën e pasurisë me arsyetimin se në pronën në emër të tij të përfituar në vitin 1992 nga ligji nr. 7501 po ndërtohet një objekt 4-katësh me vlerë 8 milionë lekë të reja, e realizuar me të ardhurat e vëllait të tij emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që janë regjistruar në emër të tij për lehtësi procedurash. Por për këto veprime financiare me personin e tij familjar, po sipas ILDKP-së, nuk është paraqitur pranë saj asnjë provë që vërteton versionin e subjektit. Për sa i takon aktivitetit privat të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, kreu i komunës ka deklaruar se ky aktivitet nuk është hapur asnjëherë për probleme teknike me ndotjen e ambientit. Për të ballafaquar pretendimet e kryekomunarit ILDKP-ja caktoi një ekspert të licencuar për vlerësimin e kësaj pasurie, në raportin përfundimtar të të cilit rezultoi se “prona objekt vlerësimi është godina 4-katëshe mbi tokë dhe 1 kat nëntokë në fshatin Udenisht të Pogradecit, shtrirë mbi truallin me sipërfaqe 600 metra katrorë. Sipërfaqja totale e ndërtimit është 2193 metra katrorë, me një vlerë 45 261 327 lekë. Punimet në godinë janë të papërfunduara dhe nuk ka asnjë mobilim”. Pavarësisht kundërshtimeve të Dokollarit, Inspektorati i Lartë vlerëson se ekzistojnë elemente të vërtetuara me prova ligjore për fshehjen e pasurisë nga ana e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›