Vlerësohet fituese shkodrania Ikbale Kalja
22/12/2009 Konkurrojnë për çmimin “Mio” 55 piktorë
KORÇE- Qendra Kulturore “Vangjush Mio” në Korçë, mbylli edicionin e tretë të konkursit mbarëkombëtar për çmimin “Mio”. Në këtë eveniment, 55 piktorë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit si dhe nga shtetet fqinj, si Kosova, Mal i Zi dhe Maqedonia, garuan denjësisht me punimet e tyre të realizuara përmes teknikave dhe shkollave të ndryshme. Në mbyllje të këtij konkursi u shpallën dhe piktorët fitues të çmimit “Mio”. Çmimi i parë i takoi piktores nga Shkodra Ikbale Kalja, ndërsa dy çmime të dyta shkuan respektivisht për piktorin Vladimir Topi dhe Vladimir Kaçaku, ndërsa çmimi i tretë u fitua nga piktori kosovar, Tafil, Peci, i cili ka qenë një nga pjesëmarrësit e rregullt të konkursit që nga çelja e edicionit të parë të këtij konkursi e deri më sot. Madje ai do të shprehej se do të jetë i pranishëm edhe në edicionet e tjera, pasi ky konkurs po zgjeron gjithnjë e më shumë kufijtë gjeografikë të pjesëmarrësve. Ngjarja e mësipërme, e evidentuar si një nga aktivitet kulturore më të rëndësishme të qytetit të Korçës, qe mjaft mbresëlënës jo vetëm për piktorët fitues të çmimeve, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit, pasi, sipas tyre, tashmë konkursi për çmimin “Mio” ka konsoliduar fizionominë e vet dhe është konsoliduar, çka duket qartë edhe nga pjesëmarrja e madhe e piktorëve mjaft të njohur. Ndërkaq, kuratori i këtij konkursi, Abaz Hado vuri në dukje, se përmes aktiviteteve të tilla, Korça po kthen shkëlqimin e vet, pasi dikur për këtë qytet, arti ka qenë pjesë organike e tij. Vetë pjesëmarrja e piktorëve, punimet e tyre të realizuara me mjaft mjeshtëri, përkushtimi i treguar nga organizatorët, tregoi se Korça po i kthehet traditës së vet kulturore. Ndërkaq, drejtori i Qendrës Kulturore, “Vangjush Mio”, siguroi se edicionin e ardhshëm ky konkurs do të ketë pjesëmarrje edhe më të gjerë, ndërsa organizimi i tij do të jetë edhe më i arrirë, kjo fal edhe eksperiencës së fituar gjatë tre viteve të organizimit të këtij evenimenti mjaft domethënës për Korçën.