Poni: “Kartat e identitetit nuk do të cenojnë integritetin e besimtarëve myslimanë”
Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, takoi dje një përfaqësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë të kryesuar nga kryetari i këtij komuniteti, H. Selim Muça. Takimi u përqendrua në diskutimin lidhur me respektimin e të drejtës së besimit dhe lirive të shtetasve gjatë procesit të aplikimit për pajisjen me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, siguroi përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman se asnjëherë dhe për asnjë çast procesi nuk ka cenuar dhe nuk do të cenojë besimin dhe integritetin e besimtarëve. Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë shprehën mbështetjen e plotë për realizimin me sukses të këtij projekti madhor për vendin tonë. Lajmi i takimit është konfirmuar edhe nga Selia e Komunitetit Mysliman Shqiptar, e cila theksonte se pas shqetësimeve të shprehura në media në lidhje me moslejimin e vajzave të mbuluara me shami për pajisjen me karta identiteti, kryetari i këtij komuniteti, H.Selim Muça, ka nisur angazhimet institucionale dhe takime të ndryshme në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi. “Gjatë takimit, që u realizua paraditen e sotme, dt. 22 janar 2009, midis kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Selim Muça dhe zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Pone, u arrit një mirëkuptim i plotë midis përfaqësuesve të të dyja palëve. Në këtë takim zëvendësministri garantoi se do të respektohet e drejta e besimit dhe liritë e shtetasve, duke lejuar pozimin me shami për kartat e identitetit dhe duke respektuar kushtet teknike të kërkuara (që nënkupton mundësimin e fotografimit të plotë të fytyrës). Sqarojmë se shamia e kokës (pa mbulimin e fytyrës) nuk është dhe nuk quhet as ferexhe dhe për më tepër perçe. Shamia e kokës është një prej obligimeve islame për besimtaret që kanë hyrë në moshën e pjekurisë)”, - thuhet në njoftimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar.
23 Janar 2009