E Diel, 1 Nëntor 2026

INDRA, kompania fituese për numërimin elektronik të votave në Fier

09-02-2013 / Gazeta 55

Kompania spanjolle INDRA shpallet fituese e procedurës prokuruese për realizimin e Sistemit Elektronik të Numërimit të votave në qarkun e Fierit. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave për ditë me radhë zhvilloi negociatat me kompaninë spanjolle te kualifikuar, kompaninë INDRA, dhe në përfundim të këtyre negociatave Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli fitues të procedurës prokuruese për realizimin e Sistemit Elektronik të Numërimit të votave në qarkun e Fierit këtë kompani.
Kjo kompani në ofertën e saj financiare ofroi shifrën prej 1,548,475 euro pa TVSH për realizimin me shërbim të këtij projekti dhe pas negociatave të zhvilluara u arrit në vlerën përfundimtare prej 1,381,075 euro pa TVSH. Ndërkaq vlera blerjes së këtyre pajisjeve të ofruara nga kjo kompani ishte 2.457.845 euro pa TVSH. Në këto kushte Komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi që kjo kompani të ofrojë vetëm shërbimin për realizimin e Sistemit Elektronik të Numërimit të Votave në qarkun e Fierit kundrejt vlerës 1,381,075 euro pa TVSH.
Pas shpalljes fituese të kësaj kompani, Komisioni Vlerësimit të Ofertave do të procedojë me lidhjen e kontratës me INDRA-n sipas kushteve dhe kritereve të rëna dakord midis palëve gjatë fazës së negocimit. Kjo kompani garanton përmbushjen e të gjitha afateve ligjore të parashikuara në kodin zgjedhor si për testimin e projektit ashtu edhe për realizimin e tij.
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përfundoi gjithashtu shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumentacionit administrative-ligjor të paraqitur nga kompanitë pjesëmarrëse në procedurën konkurruese për realizimin e Sistemit Elektronik të Verifikimit të Zgjedhësve në qarkun e Tiranës.
Në përfundim të fazës së parë të vlerësimit të këtij dokumentacioni nga të pesta kompanitë që paraqiten interes, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave përzgjodhi dy kompani, dhe konkretisht, kompanitë “INDRA” dhe Bashkimi i kompanive Morpho & Aleat të cilat në datën 15 shkurt 2013 do të paraqesin ofertat e tyre financiare për realizimin e projektit të mësipërm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›