Poni: “Rilindasit”, të dështuar në politikën e taksave
Zëvendësministri i Brendshëm, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ferdinand Poni takon tregtarët e njësisë bashkiake numër 6 në kryeqytet
Zëvendësministri i Brendshëm, njëkohësisht dhe anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë z. Ferdinand Poni u tha dje bizneseve se, “Rilindasit” janë të dështuar jo vetëm në premtimet e tyre për taksat zero, por në të gjitha drejtimet”.
“Dështakët nuk kanë pse bëjnë premtime boshe. Kur ishin të ‘Lindur’ pse duhet të ‘Rilindin’, apo të ndryshonin ngjyrë nga e kuqe në të kuqe. Pasi qytetarët e Tiranës e kanë parë fytyrën e vërtet të ‘Tiranit’ që vetëm i boshatisi xhepat e kryeqytetasve të tij dhe i rriti të ardhurat e veta”, tha ai.
Zoti Poni tha se, “Rilindasit” thonë që kur të vijmë ne do t’i ulim taksat, por nuk do të vijë kurrë ajo ditë. “Rilindasit” të kishin qenë për taksat zero, do i kishin ulur më përpara dhe jo tani.
Në një bashkëbisedim me bizneset e Unazës së Re, tek rruga “Teodor Keko”, zoti Poni tha se, ne jemi të asaj politike të ndershme që të jenë të gjithë të barabartë dhe jo siç thotë Rama të diferencuar që dikush të paguaj dhe dikush jo. Kjo është politikë e pandershme që e karakterizon vetëm Edi Rama dhe eskortën e tij.
“Ne si përfaqësues të mazhorancës në Këshillin Bashkiak Tiranë, apo edhe të Qeverisë po vazhdojmë kontaktet serioze, të vëmendshme, intensive do thosha me qytetarët, me bizneset me motorin e vërtet të shoqërisë shqiptare. Ka një frymë optimiste dhe një qëndrim të qartë ndaj ecurisë së nivelit të taksave në Tiranë që janë ulur në një mënyrë të ndjeshme nga një periudhe e mëparshme që qeverisej nga ish-kryetari i Bashkisë Tiranë dhe tashmë jo vetëm kaq, por ka edhe një administrim të mirë, jo burokratikë, të shpejtë, të vëmendshëm dhe kjo reflektohet edhe në frymën e biznesit. Kjo reflektohet në përgjithësi frytet e një politike pro biznes, por qytetarëve, pro shërbimeve që ‘Qeveria Berisha’ por edhe kryebashkiaku Basha dhe mazhoranca në Këshillin e Bashkisë do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtat politika me qytetarët e tyre. Ne do të vazhdojmë të ndjekim politikat e shërbimeve të thjeshtuara, politikën e vëmendjes ndaj qytetarëve, nxitjes së biznesit, të taksave të ulëta. Atë politikë që e ka mbajtur Shqipërinë jashtë krize dhe që do të mbajë Tiranën promotor të zhvillimit shqiptar, që do të mbajë qytetarët e Tiranës ‘On the Top’, pra në pjesën më të mirë të prosperitetit ndaj biznesit. Pra ky kombinim i shkëlqyer i Qeverisë Qendrore dhe i ‘Qeverisë Basha’ besoj që është zgjidhja më e mirë e mundshme”, është shprehur zëvendësministri i Brendshëm njëkohësisht dhe anëtari i Këshillit Bashkiak z. Poni.
Tregtarët e njësisë bashkiake numër 6, thanë se niveli i taksave është minimal, duke paguar vetëm nga 120 lekë në ditë detyrime. Ndërkohë që në kohën e Ramës taksat njihnin vetëm kurbën e rritjes, duke i çuar bizneset drejt falimentimit.