E Shtunë, 31 Tetor 2026

INPO-ja kërkon konkurs ndërkombëtar për sheshin “Ibrahim Rugova”

Prishtinë 30 gusht – Pamundësia e Komunës së Prishtinës për të gjetur një model të pranuar për rregullimin e shesheve të kryeqytetit e  ka shtyrë iniciativën për progres, INPO, që të kërkojë nga i pari i Prishtinës, Isa Mustafa, që ta ndryshojë qasjen e deritanishme dhe të shpallë konkurs ndërkombëtar për një projekt gjithëpërfshirës të sheshit në qendër të Prishtinës, shkruan sot gazeta Koha Ditore.
“INPO-ja i bën thirrje kryetarit të Prishtinës Isa Mustafa që të shpallë konkurs ndërkombëtar për projektimin e shesheve, ashtu siç kanë vepruar edhe kryeqytetet e tërë rajonit” ka thënë Albulena Sadiku, udhëheqëse e organizatës INPO. Sipas saj, dështimet e deritanishme në fillimin e punëve në rregullimin e qendrës së Prishtinës janë duke ndikuar që Prishtina të mbetet shumë prapa kryeqyteteve të rajonit. “Dështimet e njëpasnjëshme të konkurseve për projektim të shesheve të kryeqytetit kanë bërë që Prishtina të mbetet vetëm me sheshe në letër duke rezultuar kështu me investime të vogla në sheshin e pavarësisë - “Ibrahim Rugova”, “Skënderbeu”, “Zahir Pajaziti” dhe në qendrën  e qytetit”, ka potencuar Sadiku, përderisa shqetësuese e ka parë edhe mundësinë e shndërrimit në suficite të mjeteve financiare të ndara për qendrën e Prishtinës.
“Për këto sheshe, Komuna ka ndarë 1 milion e 610 mijë e 354 euro nga buxheti i këtij viti, por këto mjete mund të mbesin suficit nëse nuk shpenzohen sivjet. Përveç  kësaj, Komuna ka dështuar për të pestën herë që të zgjedhë një kompani projektuese për të ndërtuar Sheshin e Pavarësisë. Koha për të projektuar sheshet nga komuna dhe për të hapur tender për ndërtim nuk premton, pasi që procedurat e prokurimit mund të zgjasin disa muaj dhe nuk është e sigurt nëse do të ketë oferta të përgjegjshme për të përzgjedhur kompaninë ndërtuese,  ndërsa shtatori është muaj vjeshte dhe punët për rregullimin e projekteve kapitale nuk mund të kryhen për një muaj ditë pune, e që ky fakt e bënë të besueshëm qëndrimin tonë se ndërtimi i shesheve nuk mund të kryhet sivjet”, ka theksuar Sadiku. Ndryshe, vendimi i fundit i Komunës së Prishtinës që ata vetë do ta projektojnë qendrën e Prishtinës  është pasojë e dështimeve të disa konkurseve.
Përderisa në tri konkurset e para zyrtarët nuk e kanë vlerësuar asnjë ide, në dy konkurset e tjera kanë munguar të interesuarit për të aplikuar me idetë e tyre.
Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka deklaruar se brenda këtij viti do të nisin punët e ndërtimit të sheshit.
Konkursi për sheshin “Ibrahim Rugova” përfshin një hapësirë prej 3 hektarësh. Sipas konkursit, hapësira qe duhet trajtuar është nga  sheshi “Nëna Terezë”, afër hotel “Ilirisë”, duke vazhduar përballë ish-Ministrisë së Administratës Publike, që përfshin sheshin “Skënderbeu” dhe përfundon në rrugën “Agim Ramadani”, prapa Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›