E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çerdhet e Prishtinës të ngarkuara edhe me fëmijë të komunave të tjera

Prishtinë, 30 gusht – Ndonëse llogaritet që numri i çerdheve në Prishtinë as përafërsisht nuk i përmbush nevojat që ka kryeqytetit në sferën e arsimit parashkollor, ky fakt bëhet edhe më i rënduar nga të dhënat e fundit, të cilat tregojnë që çerdhet në kryeqytet vërshohen edhe nga fëmijët e Fushë-Kosovës, Obiliqit dhe ata të Lipjanit, shkruan gazeta Koha Ditore. Kjo e dhënë ka dalë nga një raport i institutit GAP. Aktualisht kryeqyteti ka  8 çerdhe publike dhe 9 private. Ka shumë lagje të Prishtinës, banorët e të cilëve kanë shfaqur pakënaqësinë e tyre me mungesën e çerdheve dhe në pamundësinë që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në çerdhet publike në kryeqytet, ngase në këto çerdhe numri i fëmijëve që mund të pranohet është afërsisht 50, gjendje kjo e cila pranohet edhe nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës.
Në raportin e GAP-it për Komunën e Fushë-Kosovës thuhet se rritja enorme e popullsisë në këtë komunë ka krijuar kërkesë të madhe për çerdhe fëmijësh, ku zgjidhja nga banorët e kësaj komune po kërkohet në Prishtinë.  “Fushë-Kosova ka vetëm një çerdhe publike, e cila nuk i plotëson nevojat e qytetarëve. Tani së fundmi është hapur edhe një çerdhe multietnike, me qëllim që prindërit shqiptarë dhe serbë t’i dërgojnë fëmijët në këtë çerdhe, mirëpo deri tani kjo nuk është funksionale. Prindërit edhe më tuje vazhdojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhet në Prishtinë, e që në anën tjetër edhe Prishtina ka problem me hapësirën e çerdheve”, thuhet në raportin e GAP-it. Sipas po të njëjtit raport, në Fushë-Kosovë nuk pritet që problemi i mungesës se çerdheve të zgjidhet për një kohë të shkurtër. “Në Fushë- Kosovë nuk është vërejtur ndonjë iniciativë private për hapjen e çerdheve. Në rast se Komuna dëshiron të hapë një çerdhe të re publike, duhet të mendojë edhe për një problem. Komuna e Fushë- Kosovës nuk ka nën menaxhim të saj pronë publike komunale, dhe për çdo ndërtim të ri ajo duhet të mendojë se si t’ia bëjë me mungesën e hapësirës, pasi që blerja e tokës për ndërtim të çerdhes do të kushtojë më shumë sesa vetë ndërtimi i objektit”, ka potencuar raporti i GAP-it, teksa vë në dukje se gjendje akoma më e keqe paraqitet në komunat e Lipjanit dhe Obiliqit, të cilat nuk kane asnjë çerdhe publike. Mungesa e çerdheve dhe nevoja për to është shpërfaqur edhe nga i pari i Prishtinës, Isa Mustafa. Ai gjatë debateve që ka realizuar me qytetarë të rajoneve të ndryshme ka shfaqur bindjen që Komuna do t’ia arrijë të zgjedhë problematikën e mungesës së çerdheve. “Jemi duke shikuar modelin e partneritetit publiko-privat në ndërtimin dhe menaxhimin e këtyre institucioneve dhe disa të tilla do të ndërtohen në kryeqytet”, ka thënë Mustafa, teksa ka përmendur ndarjen e një fondi nga buxheti komunal në vlerë prej  100 mijë eurosh për ndërtimin e dy çerdheve të reja publike. “Një çerdhe do të ndërtohet në “Dardani”, ndërsa një tjetër në Lagjen e Vreshtave dhe procedurat e tenderimit dhe prokurimit priten të nisin brenda këtyre muajve”, ka thënë Mustafa.
Raporti i vitit të kaluar i Komisionit Evropian në Bruksel për Kosovën ka përmendur në pjesën për arsim mungesën e çerdheve në Kosovë, veçmas në Prishtinë, dhe ka sugjeruar autoritetet lokale që kjo të përbëjë një prioritet për to. “është konstatuar që institucionet lokale nuk i kushtojnë rëndësi të madhe arsimimit dhe sistemimit parashkollor të fëmijëve dhe një pjesë e madhe e tyre nuk mund të gjejnë vende në këto institucione parashkollore. Kjo gjendje paraqet shqetësim dhe kjo duhet ndryshuar”, thuhet në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2009. Valbona Mikullovci, përfaqësuese e çerdhes private “Shkronjat” në Prishtinë, ka pohuar që është e detyruar të mos përmbushë shumë kërkesa të prindërve për pranimin e fëmijëve në çerdhe. “Kemi kapacitete për të pranuar deri në 30 fëmijë dhe nuk mund të pranojmë më shumë fëmijë në çerdhe, ndonëse kërkesat për regjistrim të tyre janë tre apo katërfish më të mëdha”, ka potencuar Mikullovci. Ajo thotë se nuk ka evidencime të plota se nga cili rajon vijnë më shumë fëmijët. “Nga të gjitha pjesët kemi kërkesa, kuptohet pjesa më e madhe janë nga Prishtina, por ka edhe nga Fushë-Kosova, Lipjani, Obiliqi dhe Podujeva”, thotë Mikullovci. Ndërkaq Sanije Bokshi, banore e lagjes “Sofali” të Prishtinës, thotë së është detyruar të lërë punën në një kompani private për t’u kujdesuar për fëmijën e saj dyvjeçar, ngase nuk ka arritur të gjejë vend të lirë në çerdhet e Prishtinës, ku do të mund të dërgonte fëmijën gjatë orarit të punës. “Ka një vit që fëmija im i plotëson kushtet që të dërgohet në çerdhe dhe unë nuk mund të bëj këtë, ngase këtu në lagjet tona nuk ka çerdhe dhe në anën tjetër në vendet ku ka çerdhe më kanë thënë se nuk ka vend të lirë njëherë”, është shprehur Bokshi. Ajo thotë të mos ketë besuar që kur të bëhet nënë do të ballafaqohet me vështirësi për të regjistruar fëmijën në çerdhe. “Nuk kam besuar që është kaq problem të gjesh një vend të lirë në çerdhe për fëmijë në Prishtinë, vetëm tani e di sa është e nevojshme që lagjet të kenë çerdhe, dhe vetëm tani e di sa paraqet problem mungesa e tyre”, ka thënë Sanije Bokshi, nënë e dy fëmijëve. Ndërsa Betim Berisha, nga Lagjja e Spitalit në Prishtinë, shprehet me tone kritike ndaj Komunës, për faktin e mungesës së çerdhes në lagjen e tij. “Nuk duket të jetë në logjikën tonë dhe normale që në një lagje, e cila bie në zonën e ashtuquajtur “Prishtina e Re” të mos ketë çerdhe fëmijësh. Zyrtarët është dashur ta dinë faktin se gjëja e parë që u duhet njerëzve që jetojnë në këtë pjesë është çerdhja”, shprehet Berisha, përderisa tregon se sa është e vështirë për të si prind mungesa e çerdhes. “Unë prej një viti jetoj në këtë lagje dhe më duhet që vajzën time ta dërgoj në çerdhen në “Ulpianë”. Paramendoni distancën me Lagjen e Spitalit. Mendoj se është gabim logjik i autoriteteve, ngase kur është bërë shkolla është dashur të mendohej njëkohësisht edhe për çerdhe, diçka e cila futet në mesin e gjërave elementare që duhet siguruar qytetarit”, ka thënë Berisha.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›