E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSIG ndërron pronar për 25 milionë euro

10/12/2008  “American Reserve Life Insurance” ofron çmimin më të lartë për privatizimin

Kompania shtetërore e sigurimeve INSIG kalon në duart e amerikanëve. Dje është zhvilluar procesi i hapjes së ofertave të privatizimit ku oferta më e lartë prej 25 milionë euro është dhënë nga një kompani amerikane. Komiteti i privatizimit të kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve “INSIG”, i autorizuar nga ministri i Financave përfundoi procesin e garës, që filloi në janar të vitit të kaluar. Privatizimi është në negociatat e fundit teknike me kompaninë fituese.

Shitja

Oferta fituese është paraqitur nga kompania amerikane “American Reserve Life Insurance” me një çmim prej 25 milionë eurosh. “Kjo vlerë është 2 milionë euro mbi çmimin maksimal të vlerësuar nga KPMG ose 3.5 milionë euro nga çmimi që kishte përcaktuar Qeveria”, - bën të ditur burimet zyrtare të Ministrisë së Financave. Ky privatizim, sipas Ministrisë së Financave, konfirmon besimin për ekonominë shqiptare në kushtet kur në tregun financiar ndërkombëtar ekziston një krizë ekonomike.

Procesi

Procesi i privatizimit kaloi në disa faza në të cilat morën pjesë 10 kompani të huaja si investitorë strategjikë për privatizimin e “INSIG” -ut. Në dakordësi me BERZH -in dhe IFC- në, procesi u konsultua nga BNP Paribas, ndërsa me tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare KPMG për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitje kompania “INSIG”. Qeveria zotëronte 61 për qind të aksioneve te shoqëria e sigurimeve "INSIG", ndërsa pjesa e mbetura nga BERZH-i dhe IFC-ja me nga 19,5 për qind secilën. Kjo kompani u themelua në vitin 1991 dhe prej shumë vitesh ka qenë lider në këtë treg, ndërsa tani renditet e treta me rreth 17 për qind të tregut të sigurimeve.

Vullneti

Qeveria në fakt është shprehur e vendosur që ky proces të kryhet brenda dhjetorit. Vetë Kryeministri Sali Berisha është shprehur pak muaj më parë se procesit të shitjes do t’i nënshtrohen edhe aksionet që Qeveria ka në kompani dhe sipërmarrje të ndryshme pas privatizimit të tyre. “Shpresojmë që edhe INSIG-u, për të cilin është hapur tenderi ndërkombëtar dhe kanë treguar interes të veçantë 8 - 12 kompani, do të privatizohet brenda vitit”, - është shprehur Berisha. Sipas procedurës, pas zgjidhjes së fituesit do të fillojë negocimi i kontratës, pasi nuk është e nevojshme që të merret miratimi në Këshillin e Ministrave, por negociatat zhvillohen mes Komitetit të Privatizimit dhe blerësit potencial. Javën e kaluar Qeveria miratoi një vendim për të drejtat e saj lidhur me aksionet e shtetit në INSIG sh.a. “Me qëllim përfundimin me sukses të shitjes së aksioneve të INSIG propozohet edhe varianti që nëse të gjithë ofertuesit e mundshëm të ofrojnë çmime blerjeje në vlerën mesatare të negociohet me ta për rritjen e çmimit duke përzgjedhur i blerës të suksesshëm investitorin që ofron çmimin më të lartë, por jo nën vlerën mesatare të miratuar”, - thuhet në relacionin e Ministrisë së Financave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›