E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizohet INSIG, amerikanët ofrojnë 25 milionë euro

Privatizohet shoqëria e sigurimeve INSIG. Pas një odiseje të gjatë për privatizimin e INSIG-ut, pas katër vitesh përpjekje ka përfunduar dje procesi i privatizimit të 61 për qind të aksioneve të shoqërisë INSIG. Kompania amerikane “American Reserve Life Insurance” ofroi çmimin më të lartë për privatizimin e INSIG–ut, kështu që asaj iu dha e drejta e blerjes. Në Ministrinë e Financave, komiteti i privatizimit të kompanisë së vetme shtetërore të sigurimeve INSIG, i autorizuar nga ministri i Financave, përfundoi me sukses procesin e garës për privatizimin e INSIG–ut. Procesi filloi në janar të vitit 2007 dhe kaloi në disa faza, ku paraqitën interes dhe morën pjesë 10 kompani të huaja si investitorë strategjikë për privatizimin e INSIG–ut. Në dakordësi me BERZH–in dhe IFC-në, procesi u konsultua nga BNP Paribas, ndërsa me tender të hapur ndërkombëtar u përzgjodh kompania ndërkombëtare KPMG për vlerësimin e çmimit që ofrohej për shitje kompania INSIG. Në fund të procesit, ofertën fituese e siguroi kompania amerikane “American Reserve Life Insurance”, e cila ofroi një çmim për kompaninë prej 25 milionë eurosh. Kjo vlerë është 2 milionë euro mbi çmimin maksimal të vlerësuar nga KPMG ose 3.5 milionë euro nga çmimi që kishte përcaktuar qeveria. Ky privatizim konsiderohet shumë i suksesshëm për qeverinë. Ai përbën një konfirmim të ri të besimit për ekonominë shqiptare në kushtet kur në tregun financiar ndërkombëtar ekziston një krizë ekonomike. Përfundimi i procesit INSIG–ut është në negociatat e fundit teknike me kompaninë fituese “American Reserve Life Insurance”.

Procesi i privatizimit të 61 për qind të aksioneve të kompanisë INSIG është hapur që në vitin 2004. Pjesa e mbetur e aksioneve të kompanisë zotërohet nga institucionet financiare ndërkombëtare, BERZH dhe IFC, secila nga 19.5 për qind, ku njëkohësisht janë partnerë mbështetës të qeverisë në privatizimin e shoqërisë në fjalë. Gjatë këtyre katër viteve, kompania ka vazhduar që të humbasë treg, duke humbur rolin që ka pasur më parë. INSIG ka në treg një portofol të sigurimit të jo-jetës njësoj si kompania e pestë në renditjen e bërë nga AMF. Deri në fund të muajit tetor, INSIG ka humbur një pjesë të konsiderueshme të tregut krahasuar me një vit më parë. Kështu sa u përket primeve bruto nga sigurimet e jojetës, INSIG zotëron 16.67% të tregut nga 17.76 që kishte një vit më parë. INSIG renditet në vendin e pestë sa u përket të ardhurave bruto.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›