E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontabilistët, kriteret të reja për heqjen e licensës

10/12/2008  Ministria e Financave publikon ligjin për ekspertët kontabël dhe kontabilistët e miratuar

Bode: Janë vënë kufizime në moshë, që të përzgjidhen persona me moshë të pjekur

Auditues dhe kontabilistë të pjekur në moshë, pa konflikte interesi dhe sa më të pavarur. Këto rregullime synon të bëjë me anën e projektligjit të ri, Ministria e Financave, sa i përket profesioneve të ekspertit kontabël dhe kontabilistit të miratuar. Duke mbushur edhe hendekun ligjor për këtë çështje. Në projektligj parashikohen edhe rastet e konfliktit të interesit në ushtrimin e detyrës, por edhe shmangia e auditimeve formale.

Projektligji

Drafti i ligjit të ri të hartuar gati tre muaj më parë është bërë publik nga vetë ministri i financave publike Ridvan Bode dhe ai i Ekonomisë Genc Ruli. Ai parashikon dispozitat që rregullojnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore individuale dhe të konsoliduara, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël, të shoqërive të auditimit, si dhe profesionin e kontabilistit të miratuar si dhe rregullimin e organizatave profesionale në fushën e kontabilitetit. “Hartimi korrekt e me transparencë dhe publikimi i pasqyrave financiare të kompanive, është në radhë të parë në interes të vetë drejtuesve e pronarëve të tyre, për marrjen e vendimeve të drejta për zhvillimin e kompanisë, për mënyrën e investimit të burimeve, për politikat kredimarrëse, për orientimet në treg”, - theksoi në fjalën e tij ministri Bode. Duke e cilësuar projektligjin si një “hap cilësor”, ministri i Ekonomisë tha se ky ligj ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e mbikëqyrjes publike të profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar si dhe rregullimin e profesionit të kontabilistit të miratuar.

Roli

Madje, pasqyrat financiare transparente e të standardizuara, janë të domosdoshme dhe për interesa të tjera publike. “Për mbrojtjen e kreditorëve, për uljen e informalitetit në ekonomi, për shmangien e evazionit fiskal, për krijimin e kushteve për një konkurrencë të ndershme”, - tha Bode. Sipas tij publikimi i pasqyrave financiare korrekte e transparente është përgjegjësi e profesionistëve kontabël, që angazhohen në mbajtjen e kontabilitetit e përgatitjen e pasqyrave financiare dhe ekspertëve kontabël, të cilët kanë misionin publik për verifikimin ligjor të këtyre pasqyrave. Ministri i Ekonomisë Genc Ruli tha se janë parashikuar të gjithë instrumentet për një ekonomi funksionale tregu. Referuar krizës globale, fillimisht vetëm financiare, por tashmë ekonomike, ministri Ruli tha se arsyeja se pse kjo krizë nuk u paralajmërua është sepse sinjalet e transaksioneve në tregje nuk funksionuan. “Kjo krizë është ndjerë në kompanitë më të mëdha të botës, të cilat kishin vulat dhe certifikimin e kompanive më të mëdha të auditimit, por fakti se sinjalet e transaksioneve të tregjeve nuk funksionuan, bënë që kriza të ishte edhe më e madhe. Fakti që ne jemi një ekonomi e vogël dhe jo shumë e hapur ka bërë që kjo krizë të mos ketë fenomene të tilla”, - tha Ruli.

Të veçantat

Bordi Mbikëqyrës do të jetë autoritet i pavarur, i përbërë nga persona të kualifikuar të fushës së kontabilitetit e auditimit që nuk e ushtrojnë profesionin, por edhe me një pakicë me persona që e ushtrojnë atë. “Është parashikuar organizimi në një organizatë të vetme për profesionin e ekspertit kontabël dhe në disa organizata për kontabilistët e miratuar. Është parashikuar që trajnimet mund ti realizojnë organizatat profesionale ose universitetet, nën mbikëqyrjen e organizatave e të bordit mbikëqyrës”, - tha Bode. Sipas tij, detyrimi për auditim ligjor do të shtrihet në të gjitha shoqëritë tregtare që zbatojnë standardet ndërkombëtare të kontabilitetit dhe një kategori e shoqërive që zbatojnë standardet kombëtare të kontabilitetit, por që tejkalojnë kufij të caktuar të aktiveve, xhiros ose numrit të të punësuarve.

Profesionet

Këto rregullime kanë qenë të domosdoshme sa i përket kuadrit ligjor për organizimin dhe mbikëqyrjen publike të profesioneve të audituesve dhe kontabilistëve. Sipas ministrit Bode, këto profesione publike janë me interes publik në radhë të parë, por edhe për kompanitë e biznesit. “Këto rregullime bëhen akoma më të domosdoshme, si për kushtet aktuale të ekonomisë botërore ashtu edhe për shkak të një boshllëku ligjor në të cilin gjendemi, pas miratimit të ligjit të ri “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, - tha Bode.

Procesi

Ministria e Financave ka paraqitur projektligjin “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël dhe të kontabilistit të miratuar”. Ky proces është i hapur për të gjithë aktorët që të marrin pjesë me anën e diskutimeve. Më pas do të bëhet miratimi i këtij projektligji, pasi të jenë bërë të gjitha konsultimet dhe të kenë kontribuar të gjithë të interesuarit në përmirësimin e tij. Projektligji është paraqitur nga grupi i punës i ngritur rreth tre muaj më parë.

Certifikimi

Ky projektligj mundëson forcimin e mbikëqyrjes publike, sipas ministrit të Financave, si në fazën e përgatitjes e certifikimit të eksperteve kontabël e të kontabilistëve të miratuar, ashtu dhe gjatë ushtrimit të profesionit. Ministri Bode vlerësoi hartimin e këtij projektligji nga grupi i punës, sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe theksoi rëndësinë e tij sa i përket plotësimit të një boshllëku ligjor të krijuar pas miratimit të ligjit të ri “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.

Bordi i mbikëqyrjes

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, theksoi se në kuadër të ushtrimit sa më mirë të profesionit, ky projektligj është një hap thelbësor. “Për këtë qëllim është parashikuar një mbikëqyrje e rreptë për sigurinë e cilësinë e auditimeve si nga Bordi i Mbikëqyrjes ashtu edhe vetë organizata profesionale me qëllim shmangien e auditimeve formale”, - theksoi Ruli. Ministri Ruli i cilësoi këtë ligj dhe ligjin “Për shoqëritë tregtare”, si “ligje simbiozë që veprojnë së bashku, mjaft të rëndësishëm për funksionimin e tregut”.

Standardet ndërkombëtare

Bode: Duhet të kuptohen qartë materialet e përkthyera

Ministria e Financave ka përgatitur një sërë materialesh të nevojshme në fushën e kontabilitetit e raportimit financiar. Zbatimi i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit është përcaktuar edhe me ligj, sipas ministrit të Financave, për një kategori të caktuar sipërmarrjesh tregtare, që janë përkthyer e publikuar. “Kemi përpunuar e shpallur për zbatim standardet kombëtare të kontabilitetit, të cilat janë vënë në zbatim nga 1 janari 2008. E rëndësishme është që këto standarde të jenë të kuptuara qartë nga drejtuesit e sipërmarrjeve dhe profesionistët kontabël që realizojnë shërbimin kontabël për këto sipërmarrje”, - theksoi ministri Bode, duke nënvizuar se për këtë qëllim është i nevojshëm trajnimi i vazhdueshëm i profesionistëve kontabël, por edhe pasurimi i kurrikulave të universiteteve në fushën e kontabilitetit e auditimit. Sipas tij, hartimi i këtij ligji po bëhet edhe në kuadrin e hapjes dhe zbatimit strategjik të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Konkretisht, në këtë proces janë marrë parasysh rekomandimet e Bashkimit Evropian, direktiva e tetë “Mbi auditimin ligjor të llogarive vjetore dhe të llogarive të konsoliduara”, rekomandimet e dhëna nga “Programi i reformës së kontabilitetit dhe forcimi institucional, rekomandimet nga raporti i vëzhgimit të standardeve e kodeve, progres raporti i fundit i BE-së, standardet ndërkombëtare të auditimit, standardet ndërkombëtare të kontabilitetit e të raportimit financiar si dhe përvoja e deritanishme e organizimit të profesioneve të ekspertëve kontabël e të kontabilistëve të miratuar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›