E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rënia ekonomike rrezikon të prekë vendet në zhvillim”

10/12/2008  Banka Botërore

Kriza financiare botërore ka turbulluar përfundimisht perspektivat zhvillimore afatshkurtra për vendet në zhvillim ku volumi i tregtisë botërore ka gjasa të tkurret për herë të parë qysh nga viti 1982. Ngadalësimi drastik ka bërë që çmimet e mallrave të bien dukshëm duke sjellë edhe fundin e një zhvillimi historik 5-vjeçar. Sipas Perspektiva Ekonomike Globale (PEG) 2009, botuar dje ekonomia globale po kalon një tranzicion nga një periudhë afatgjatë rritjeje, të kryesuar nga vendet në zhvillim, në një periudhë të madhe pasigurie, ndërsa kriza financiare në vendet e zhvilluara ka tronditur tregjet kudo në botë. Paralajmërohet se rritja botërore e GDP-së do të jetë në nivelet 2.5% në vitin 2008 dhe në 0.9% për vitin 2009. Vendet në zhvillim do të shënojnë një rritje në 4.5% vitin tjetër, çka dëshmon një rënie kundrejt 7.9% të arritur në vitin 2007. Po kështu, kushtet më shtrënguese të kreditimit dhe pasiguria në rritje, pritet të shohin ngadalësimin e rritjes së investimeve si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e pasura dhe të zhvilluara në vitin 2009, të cilat do të bien në 1.3 % për vendet e zhvilluara dhe do të rriten vetëm me 3.5% në vendet në zhvillim përkundrejt shifrës 13% në vitin 2007. Nga ana tjetër, rritja ekonomike pritet të jetë negative edhe në vendet me të ardhura të larta. “Njerëzve në vendet në zhvillim do t’ju duhet të përballen me dy goditje të mëdha të importuara nga jashtë: rritja marramendëse në çmimet e ushqimit dhe karburanteve e pasuar kjo nga kriza financiare, e cila ka minimizuar tensionet në tregjet e mallrave, por që po teston efektivitetin e sistemeve bankare dhe po kërcënon një numër të konsiderueshëm njerëzish me humbjen e vendeve të punës kudo në botë”, - citohet të ketë thënë Justin Lin, ekonomist i lartë pranë Bankës Botërore. “Masa urgjente duhet të ndërmerren për të parandaluar efektet negative të krizës në ekonomitë reale dhe te shtresat e varfra, përfshirë vënien në jetë të projekteve publike në ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, shkollave dhe sistemeve të kujdesit shëndetësor”, - ka thënë ai. Grupi i Bankës Botërore po rrit gjithnjë e më shumë mbështetjen e vet ndaj vendeve në zhvillim, përfshirë edhe angazhimin e ri të IBRD-së për lëvrimin e 100 miliardë dollarëve në tri vitet në vazhdim së bashku me IFC-në, krahun e vet në sektorin privat, në formën e lehtësirave për financimin e tregtisë, rikapitalizimin e sistemit bankar si dhe në formën e projekteve të infrastrukturës me financim privat, të cilat po përballen me turbullime financiare. Në momentin kur volumi tregtar botëror pritet të tkurret afërsisht 2.1% në vitin 2009, vendet në zhvillim do të përjetojnë rënie të konsiderueshme në nivelin e eksporteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›