INSTAT: Aktiviteti ekonomik në vend ra me 1,4% në 3-mujorin e 3-të Nga TemaTë dhënat mbi rënien ekonomike të vendit vijnë e bëhen gjithnjë e më të thekshme, teksa Instituti i Statistikave ka publikuar se volumi i punës së biznesit në 3-mujorin e tret
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
INSTAT: Aktiviteti ekonomik në vend ra me 1,4% në 3-mujorin e 3-të Nga TemaTë dhënat mbi rënien ekonomike të vendit vijnë e bëhen gjithnjë e më të thekshme, teksa Instituti i Statistikave ka publikuar se volumi i punës së biznesit në 3-mujorin e tretë të vitit që kaloi ishte më i ulët se sa ai ishte në 3-mujorin e dytë, e sigurisht më i ulët se në vitin 2008. Kjo rënie e volumit të punës ka prekur edhe numrin e vendeve të punës. Saktësisht Instituti i Statistikave bën me dije se rënia në 3-mujorin e tretë, krahasuar me atë të vitit të mëparshëm, ka qenë e ndjeshme dhe ajo ka kapur vlerën e 1,4 pikëve të përqindjes.
Vlerësime të Bankës së Shqipërisë thonë se, pavarësisht se nuk ka një të dhënë të saktë për ecurinë e 3-mujorit të fundit, sigurisht që rënia do të jetë me më shumë se dy pikë përqindjeje, për shkak se të gjithë treguesit e tjerë, e sidomos ai i vëllimit të kryer tregtar, kanë pësuar rënie.
Një sërë elementësh, që përbëjnë bazën e treguesve ekonomikë të vendit, kanë rënë dhe këtu numërohen mungesat në likuiditet e biznesit dhe përdorimi në masën 70% të parave për të paguar paga dhe detyrime, duke ulur në maksimum investimet e biznesit. Buxheti i qeverisë është vënë në presionin e pandalshëm të mosrealizimit të të ardhurave, duke krijuar një situatë të vështirë dhe duke çuar në rritje të deficitit buxhetor.
Instituti i Statistikave thotë se volumi i prodhimit industrial rritet me 35.6% në tremujorin e tretë 2009 ndaj tremujorit të tretë 2008, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është ulur me 1.9%. Numri i të punësuarve në industri ulet me 1.4%, ndërkohë që në industrinë nxjerrëse kemi një rritje prej 1.8% të të punësuarve, krahasuar me të njëjtin tremujor. Pavarësisht këtyre rënieve, vërehet në tërësi një rritje e pagave të privatëve, sipas të dhënave të INSTAT - gjë e cila në fakt nuk konfirmohet nga administrata e tatimeve - me 0.3%, krahasuar si tremujor dhe 2% me një vit më parë.
Shifra e afarizmit në ndërtim është rritur me 24.5% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë 2009 është ulur me rreth 8.3%. Rritja e shënuar në volumin e punimeve civile inxhinierike është 20.9% krahasuar me tremujorin e tretë 2008, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës ky tregues shënon rënie 24.7%. Numri i të punësuarve në ndërtim është rritur me 9.5% në tremujorin e tretë 2009 krahasuar me tremujorin e tretë 2008, ndërsa pagat janë rritur 12.7% gjatë të njëjtës periudhë.
Te tregtia me pakicë, shifra e afarizmit është vlerësuar me rritje 12.6% krahasuar me vitin 2008, si dhe me një rritje më të madhe, prej 14%, krahasuar me tremujor. Sipas INSTAT, numri të punësuarve është rritur me 9.6% në tremujorin e tretë 2009 krahasuar me tremujorin e tretë 2008, ndërsa pagat janë rritur 14.4% gjatë së njëjtës periudhë.
Qeveria kërkon 300 milionë euro borxh nga tregu i huaj i parasë
Qeveria shqiptare kërkon të marrë borxh nga bankat e huaja plot 300 milionë euro. Shuma nevojitet për të shlyer një pjesë të huasë së marrë për rrugën Durrës-Kukës, e cila kushtoi mbi 1 miliard euro. Ministria e Financave ka përgatitur termat e kredisë dhe ka hapur tenderin për gjetjen e “menaxherit” që do të merret me procesin. Plani i Financave është hedhja në tregun e huaj bankar të eurobonit, duke synuar interesa më të ulëta sesa vitin e kaluar.
Tjetër fakt i marrjes së kredisë është shmangia e riskut që mund të vijë nga bankat vendase, duke i dhënë hapësirë kreditimit për biznesin, si dhe një zhbllokim të lekut, i cili ndodhet nën presion nga euro. Afati për shlyerjen e borxhit do të jetë 3-5 vjet, por si fillim qeveria duhet të gjejë kompaninë që do të menaxhojë procesin. Për këtë konsulentit i është lënë afat data 30 janar. Ai duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve të Financave lidhur me ankandin.
Aktualisht Ministria e Financave po shikon mundësinë e rishikimit të buxhetit të vitit 2010. Ekspertët e ministrisë pranojnë efektet që po jep kriza, sidomos te të ardhurat, dhe për këtë kanë përgatitur një skenar që parashikon uljen e shpenzimeve. Sipas të dhënave zyrtare, borxhi i marrë në dy vitet e fundit e ka kaluar nivelin e 700 milionë dollarëve. Herën e fundit qeveria mori 200 milionë euro, me interes rreth 11%, si nevojë për të financuar rrugën Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës.