E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Eksportet e dhjetorit, 3,5 % më pak se të nëntorit 2010

Eksportet e dhjetorit të vitit që lamë pas kanë shënuar 3,5 për qind rënie, në krahasim me muajin nëntor të po të njëjtit vit. Ndërsa duke iu referuar qasjes krahasuese vjetore, eksportet shqiptare shënuan 39,4 % rritje. Të dhënat janë raportuar dje nga Instituti i Statistikave Shqiptare. Duke iu referuar të njëjtit burim, në dhjetor 2010, vendi ynë ka eksportuar 13,743 mln lekë mallra. Ndërsa, në lidhje me importet, INSTAT raporton se janë 48,843 mln lekë mallra të importuara me rritje, 16.9 për qind në krahasim me Nëntor 2010 dhe njëkohësisht rritje 13.1 për qind, në krahasim me dhjetor 2009. Kështu, defiçiti tregtar i këtij muaji është llogaritur nga INSTAT 35,100 mln lekë, duke shënuar një rritje prej 27.5 për qind, krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 5.3 për qind, krahasuar me dhjetor 2009. Po të njëjtat statistika bëjnë me dije se tregtia me vendet e BE është 65.9 për qind dhe partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë, eksporti është 49.1 për qind dhe importi 27.1 për qind, ndërsa me Greqinë, eksporti është 5.5 për qind dhe importi 14.4 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë, me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë për eksportin, Greqi, Belgjikë, Britani e Madhe, Spanjë, Ukrainë, etj, dhe për importin, Greqi, Gjermani, Itali, Kinë, Turqi, etj. Produktet që kanë ndikuar në rritjen e eksporteve kanë qenë prodhimet e drurit dhe letrës. Ndërsa ato që kanë ndikuar tek importet, ushqimet, pijet dhe duhani.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›