Xhepa: Klima e tensionuar politike, zhgënjim i interesave afatgjata të Shqipërisë
Demonstrata e 21 janarit do të ketë precedentë negativë në interesat afatgjatë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Eksperti në fushën e ekonomisë, njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, Selami Xhepa, ka deklaruar për gazetën “MAPO”, se ngjarjet që përshkuan të premten e 21 janarit, në qendër të Tiranës, nuk do të kalojnë pa u ndjerë dhe ndikuar në interesat e vendit. “Sigurisht, zhvillimet e paprecedentë politike në demonstratën e 21 janarit janë një zhvillim negativ dhe që kanë dëmtuar në mënyrë serioze interesat ekonomike afatgjata të Shqipërisë. Ndikimi më i parë do të jetë një përkeqësim edhe një herë i imazhit të vendit dhe që për rrjedhojë mund të ndikojë në të ardhmen në sektorin e turizmit. Fatkeqësisht, nga një sektor që ishte me pretendime të mëdha për t’u shndërruar në gjenerator më të rëndësishëm të sigurimit të të ardhurave ekonomike nga jashtë, fatkeqësisht interesat e këtij sektori po dëmtohen ndjeshëm” - u shpreh Xhepa. Sipas tij, ndoshta është shumë shpejtë për të folur për një periudhë më afatgjatë, sepse zhvillimet politike janë në një fazë që mund të kenë dinamika të tjera. “Por, argumenton Xhepa, nëqoftëse situata do të mbetet e përkeqësuar, zhvillimet në përgjithësi qoftë në fushën e turizmit, dhe interesat për investime strategjike në ekonomi nga investitorët e huaj, dhe nga investitorë të brendshëm shqiptarë do të jenë përkeqësuese për ekonominë”. Sipas Xhepës, në këtë kuptim çdo zhvillim politik i kësaj natyre, që përpiqet të mbajë një klimë të tensionuar në vend, do ishte një zhgënjim i interesave afatgjata të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Demonstrata e 21 janarit, e organizuar nga opozita shqiptare në qendër të kryeqytetit, gjeneroi në përleshje të dhunshme mes policisë së shtetit, punonjësve të Gardës së Republikës dhe qytetarëve në demonstratë. Në atë protestë përleshjesh, mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën dhjetëra vetë nga radhët e policisë e të demonstruesve. Pamjet e regjistruara nga mediat shqiptare bënë xhiron e botës, duke lënë një shije të keqe tek qytetarët e botës, të cilët të frymëzuar nga këshillat e Lonely Planet, që cilësonte vendin tonë si destinacioni kryesor turistik i 2011, janë trembur dhe nuk mendojnë se mund t’i kalojnë pushimet e tyre në Shqipërinë, që në një kohë ku priste të bëhej si e gjithë Europa, iu kthye për pak orë 1997-ës.