E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha denoncon tek PPE-ja kryesocialistin

01/12/2004  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar në Francë krizën parazgjedhore të Shqipërisë, që, sipas tij, është shkaktuar nga Fatos Nano. Kryedemokrati ka përfituar nga Kongresi i Bashkimit për Lëvizjen Popullore të Francës, për të ngritur shqetësimin mbi bllokimin e reformës si në procesin e vendimmarrjes në KQZ, ashtu dhe të ndarjes së zonave elektorale. Këto pika, kryedemokrati i ka mbështetur në raportet dhe rekomandimet e OSBE-së për Shqipërinë. Ndërkohë është vlerësuar se arritja e standardeve evropiane për zgjedhje të lira është shansi më i madh për integrimin e Shqipërisë në BE.

Ankesa

"Gjatë bisedave të mia, ngrita shqetësimin e opozitës për krizën që ka pllakosur vendin, dhe në mënyrë më konkrete për dhunimin e votës së lirë dhe bllokimin e reformës elektorale nga Fatos Nano. Vendi ynë ka mbetur i vetmi që nuk zhvillon zgjedhje të lira", tha Berisha gjatë fjalës së tij. Sipas tij, dhe krerët e lartë të shtetit francez, pasi janë njohur me pretendimet e opozitës, janë shprehur se janë në dijeni për këto probleme. Madje, sipas Berishës, ministri i Jashtëm francez, gjatë vizitës së tij, i ka kërkuar Kryeministrit shqiptar angazhim më të thellë në zbutjen e fenomeneve të tilla, siç janë korrupsioni dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira në vend. "Presidenti i Asamblesë, Poslë dhe ministri i Jashtëm, Barnie, më siguruan se e njohin problemin elektoral, si dhe problemet e tjera të rënda të Shqipërisë. Ministri Barnie më bëri me dije se këto çështje i ka ngritur me forcën e duhur autoriteteve shqiptare gjatë vizitës së tij në Tiranë. Ata e konsiderojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme si kusht për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri dhe integrimin e saj në Bashkimin Evropian", theksoi Berisha.

Takimet

Berisha tha në konferencën për shtypin se gjatë zhvillimit të kongresit, PD-ja ka marrë mbështetjen prej Partive Popullore Evropiane për zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri. "Në të gjitha takimet me krerët e partive simotra nga rajoni dhe Evropa, u theksua domosdoshmëria e zhvillimit të zgjedhjeve të lira në vend. Shumë shpesh biseda u ndal në lidhjet e qeverisë shqiptare me trafiqet dhe krimin e organizuar. Krerët e partive simotra më siguruan për ndihmën e tyre që zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme dhe që PD-ja në mënyrë të merituar të marrë në dorë qeverisjen e vendit", përfundoi Berisha. Në këto takime, ai është shoqëruar nga sekretari i për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Besnik Mustafai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›