LSI mbledh katër drejtuesit e qyteteve të Veriut
01/12/2004 LSI ka organizuar dje takimin e parë zonal me drejtues të këaj partie në katër prefekturat e veriut të Shqipërisë. Në takim është diskutuar në mënyrë të veçantë për varfërinë që i ka pllakosur qytetet si Shkodra, Kuksi, Lezha dhe Dibra. Nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, ka bërë një vlerësim të punës së strukturave të LSI në Veri të vendit, duke theksuar se "Veriu është në qendër të prioriteve të kësaj force politike, lidhur ngushtë me problematikat sociale që mbart ky rajon, në mënyrë të veçantë varfërinë". Gjithashtu, Axhemi tha se në këto kohë "është evidentuar demagogjia aktuale e qeverisë, që nuk ka marrë në konsideratë sa dhe si duhet investimet që duhet të bëhen në veriun e Shqipërisë gjatë vitit 2005". Përfaqësuesi i LSI-së ka shprehur angazhimin e partisë së tij për të mos lënë në harresë këto zona, ashtu siç i ka lënë qeveria e kryesuar nga Fatos Nano. Në takim ka marrë pjesë dhe anëtari i Kryesisë së LSI, deputeti Ndre Legisi, i cili ka vënë theksin në rritjen e punës së strukturave të partisë me qëllim që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kjo forcë t'i përgjigjet me struktura efikase procesit zgjedhor. Ndërkohë që është konstituar dega e LSI-së në qytetin e Kuçovës. Me një pjesëmarrje prej më shumë se 260 anëtarë të regjistruar është bërë zyrtarizimi i kësaj dege, duke u kryesuar nga Fejzi Murati. Sipas Muratit, kjo zonë ka qenë një nga bastionet e Partisë Socialiste dhe për LSI-në shpallja e kësaj dege do të thotë se "popullit nuk i duhen njerëz që gënjejnë, qofshin këta dhe me mjekër, si kreu i socialistëve, dhe që nuk i sjellin gjë komunitetit". Sipas kryetarit të LSI-së në rrethin e Kuçovës, "nuk bëhej fjalë për formimin e degës së LSI-së, por anëtarët dhe simpatizantët e shumtë tregojnë mbështetjen që ka kjo parti nga populli i rrethit të Kuçovës".