E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: “Përgjigjja për liberalizimin e vizave merret më 2 qershor”



Eljona Ballhysa
Ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, gjatë takimeve të zhvilluara dje në Tiranë me krerët më të lartë të shtetit, bëri të ditur se përgjigjja për liberalizimin e vizave për shqiptarët do të merret më datë 2 qershor, kur mbahet Samiti i Sarajevës. Ai bëri të ditur qëndrimin e shtetit italian në mbështetje si të procesit të liberalizimit të vizave, ashtu dhe në mbështetje të marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE. Por Fratini nuk la pa prekur situatën e nxehtë politike në vend, ndërsa i bëri apel politikës shqiptare që të bashkëpunojë. Ai tha se pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve, është politika shqiptare ajo që duhet të bashkëpunojë dhe të mbajë përgjegjësi për proceset integruese të vendit. Ministri i Jashtëm italian u prit dje në takim nga ministri i Jashtëm shqiptar Ilir Meta, nga kryeministri Sali Berisha, si dhe nga presidenti Bamir Topi.
Integrimi
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Objektivi politik për të cilin ne duhet të punojmë së bashku dhe për të cilin Italia do të jetë në vijën e parë, është i dyfishtë: është objektivi për të pasur një vendim për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE brenda këtij viti, dhe gjithashtu për të pasur vendimin për liberalizmin e vizave në Shqipëri para verës së këtij viti. I konfirmova kryeministrit Berisha bindjen time se të gjitha forcat politike shqiptare duhet të bashkëpunojnë për të mirën e Shqipërisë në Europë. Gjithashtu i konfirmova kryeministrit Berisha, se ndaj plotësisht me të bindjen e thellë që asnjë forcë politike shqiptare nuk mund të mos bashkëpunojë me qeverinë shqiptare, pikërisht në këto momente, për integrimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e saj”, - është shprehur Fratini. Më tej ai ka vënë theksin në bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve dhe veçanërisht në bashkëpunimin në fushën energjetikës. “Ne synojmë të zhvillojmë më tej edhe bashkëpunimin tonë dypalësh. Ishte shumë e frytshme biseda mbi perspektivën e zhvillimit të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe të energjisë bërthamore dhe, në të njëjtën mënyrë, do të punojmë së bashku për nxitur Korridorin 8, që përbën një nga infrastrukturat më të mëdha transeuropiane dhe pikërisht për këtë qëllim do të zhvillohet së shpejti në Tiranë një takim mes ministrave përkatës. Kështu, falë kësaj ‘Pranvere italiane dhe shqiptare’ që po festojmë së bashku, po demonstrohet edhe njëherë miqësia e vërtetë mes popujve tanë”, - është shprehur Fratini.
Ndërsa kryeministri Berisha, nga ana e tij, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve. Berisha tha se Italia është partnerja më e madhe e shkëmbimeve ekonomike me Shqipërinë dhe veçanërisht në fushën e energjetikës. Ai përshëndeti takimin e fundit midis kryeministrit italian Silvio Berluskoni dhe presidentit francez Nikola Sarkozi për ridimensionimin e prodhimit të energjisë nukleare. Ndërsa ministrin italian Fratini, Berisha e cilësoi si mikun e të gjithë shqiptarëve përsa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Kryeministri theksoi se Shqipëria do të përfitojë nga ky proces në bazë të meritës. “E risigurova ministrin Fratini se ky proces është një proces i bazuar tërësisht mbi meritën, sepse ky është në interesin jetësor të vendit tim. Mund të them se ky princip ka shërbyer në të mirën e qytetarëve shqiptarë, që sot zotërojnë kartat e identitetit ndër më të avancuarat në Europë. Që sot kufijtë e tyre kontrollohen me teknologjitë më të avancuara europiane, si vende të tjera anëtarë të BE-së. Ministri Fratini ka qenë një avokat i madh, si zëvendëspresident i Komisionit Europian, i jam shumë mirënjohës që sot është një avokat i madh në arenën politike europiane”, - është shprehur Berisha, ndërsa në përfundim të deklaratës i ka dorëzuar ministrit të Jashtëm italian, Fratini, një koleksion pullash postare të realizuara nga Posta Shqiptare, për të festuar sezonin e madh të evenimenteve “Italia dhe Shqipëria, dy popuj, një det, një miqësi”, promovuar nga Ambasada Italiane.
Ministri i Jashtëm i Italisë nënshkroi dje në Tiranë, bashkë me homologun shqiptar Ilir Meta, protokollin dypalësh të bashkëpunimit për zhvillim midis qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të vlefshëm për periudhën trevjeçare deri më 2012-n.

Berisha dorëzon të mërkurën përgjigjet e Pyetësorit të BE-së

Të mërkurën, në emër të qeverisë, kryeministri Berisha do të dorëzojë në Bruksel përgjigjet e Pyetësorit me 2883 pyetjeve të formuluara në 3854 faqe, në të cilat morën pjesë mbi 1100 ekspertë, specialistë dhe zyrtarë, vendas dhe të huaj. Një fakt të tillë Berisha ua komunikoi deputetëve demokratë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të cilën e cilësoi si një mbledhje e veçantë, pikërisht për një gjë të tillë.
“Kjo përbën një moment shumë të rëndësishëm në historinë e përpjekjeve tona për të shndërruar në realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve, projektin europian të vendit tonë. Kjo përbën një hap shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm. Ministritë, institucionet e pavarura, agjencitë e linjës, gjatë këtyre muajve kanë bërë një punë shumë të madhe dhe kanë fituar një eksperiencë shumë të çmuar”, - tha Berisha. Sipas tij, edhe Komisioni Europian ka dhënë mbështetjen e tij të çmuar për këtë proces. “Reformat e ndërmarra gjatë këtij mandati janë reforma që kanë interesuar të gjitha fushat, luftën kundër kriminalitetit, modernizimin tërësor të sistemit të sigurisë së vendit. Sot kufijtë e Shqipërisë kontrollohen me teknologjinë e nivelit më të lartë, të njëjtë me ato të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Sot qytetarët shqiptarë disponojnë dokumentet e identitetit ndër më të mira në Europë dhe në botë. Lufta kundër krimit të organizuar u konsolidua me një seri zhvillimesh të mëdha dhe pozitive. Ligjet që keni miratuar ju për konfiskimin e aseteve, mbrojta e dëshmitarëve, kanë vendosur në një stad të ri këtë luftë etj.”, - bëri me dijeni ndër të tjera kreu i qeverisë.

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›