E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezenca e OSBE-së financon projektin për demontimin e armëve



Shqipëria mund të shkatërrojë municionet e saj të tepërta prej rreth 90 000 tonësh brenda vitit 2013, dy vjet më herët se parashikimi, falë një projekti të Prezencës së OSBE-së, përmes të cilit i ofrohen Ministrisë së Mbrojtjes disa pajisje të nevojshme. Kreu i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Robert Bosh, ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe ambasadori danez në Tiranë, Ankjer Jensen, ishin dje të pranishëm në uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit në Elbasan, për të përuruar vënien në punë të dy sharrave prerëse industriale, të cilat do të përdoren për të shkatërruar municionet e tepërta. Katër sharra të tjera janë instaluar në Uzinën e Poliçanit. “Këto pajisje të reja do të dyfishojnë kapacitetin e Ministrisë në shkatërrimin e municioneve të tepërta e të vjetra, duke e bërë kështu Shqipërinë një vend më të sigurt për të jetuar”, - tha Bosh. Ambasadori danez, vendi i të cilit ka dhuruar sharrat, tha se shkatërrimi i municioneve është një ndarje konkrete me të shkuarën. “Ai është gjithashtu simboli i partneritetit të ardhshëm e të ri mes dy vendeve anëtare të NATO-s”, - shtoi ai.

Topalli kërkon nga partitë fillimin e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u ka kërkuar dje kryetarëve të grupeve parlamentare fillimin e punës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në mënyrë që ky kod të jetë gati për zgjedhjet lokale të vitit 2011. Këtë deklaratë Topalli e mbajti dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Konferenca miratoi kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit për periudhën 12 prill - 30 prill 2010. Në këtë mbledhje, kryetarja e Kuvendit u kërkoi kryetarëve të grupeve parlamentare të nisin sa më parë konsultimet mbi modalitetet për të bërë ndryshimet e duhura në Kodin Elektoral, bazuar në rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit u kërkoi kryetarëve të grupeve parlamentare që, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, të respektohet koha e diskutimeve në seancë plenare, e veçanërisht të tregohet kujdes ndaj etikës parlamentare.

Pollo: “Votimi elektronik, i realizueshëm për zgjedhjet lokale”

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Genc Pollo, është shprehur dje për mediat se votimi elektronik është i realizueshëm, madje që për zgjedhjet e ardhshme lokale. Pollo bëri të ditur se e vetmja gjë që nevojitet është vendosja e makinës elektronike në qendrat e votimit. “Infrastruktura ekziston dhe nuk është shumë e kushtueshme që në çdo qendër votimi të vendosësh aparate ku me butona mund të votosh për PD-në, për PS-në, për partitë të tjera, dhe ky rezultat transmetohet direkt përmes protokolleve të sigurisë në Komisionin Qendror Zgjedhor, i cili gjithashtu, shumë shpejt, mund të japë rezultatin final për një kohë shumë të shkurtër. Kjo teknikisht është e realizueshme sepse ne kemi përvojën e qershorit të vitit 2009. Nuk do të ketë më fletë votimi, nuk do të ketë më kuti votimi dhe ajo zgjedhje që bën zgjedhësi me gisht, përmes serverave dhe linjave të transmetimit shkon në serverin e madh të Komisionit Qendror, regjistrohet dhe mund të shpallet në mënyrë simultane, në mënyrë të njëkohshme”,- është shprehur Pollo. Ndërsa përsa i përket votimit nëpërmjet internetit në mënyrë që qytetarët të votojnë që nga shtëpia, Pollo tha se ky është një hap që mund të ndërmerret më vonë. “Ndoshta ky është një hap edhe më tutje. Duhet një studim teknik për të parë se sa mund të bëhet nga shtëpia”, – është shprehur Pollo, ndërsa theksoi se duhet vetëm vullnet politik për të mundësuar këtë mënyrë votimi.

13 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›