INSTAT: Inflacioni në korrik 2.2 për qind
Inflacioni në muajin korrik ka arritur nivelin prej 2.2 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë e një viti më parë niveli i inflacionit ka pësuar rënie. Çka do të thotë së gjatë muajit korrik çmimet e mallrave të shportës kanë kushtuar më pak se i njëjti muaj i një viti më parë. Por ajo çka vihet re është se gjatë muajit të kaluar çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje. Rritje kanë pësuar edhe çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit. Sipas INSTAT-it indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin korrik 2009, arriti 101.8 për qind. Ndryshimi vjetor në muajin korrik është 2.2 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.7 për qind. Sipas Institutit të Statistikave, në vend “Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 2.0 për qind, me një ndikim prej – 0.8 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një ulje prej 6.4 për qind. Gjatë muajit korrik çmimet janë ulur edhe në disa nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupet, “bukë e drithëra” 0.5 për qind, “vajra dhe yndyrna” 0.3 për qind, “qumësht, djathë e vezë” 0.2 për qind, etj. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.1 për qind, brenda të cilit çmimi i këpucëve ulet me 0.3 për qind. Indeksi i grupit “Transport” shënoi një ulje prej 0.1 për qind. Gjatë muajit korrik çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.4 për qind dhe çmimi i benzinës 2.1 për qind. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 0.5 për qind”.