INSTAT: “Inflacioni në muajin maj më i lartë se në prill”
Pas uljes që solli kriza globale, çmimet në tregun e brendshëm me pakicë kanë nisur të rriten sërish. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, inflacioni për muajin maj ishte 2.1 për qind në terma vjetore, 0.3 për qind më i lartë se në prill. Edhe pse krahasuar me majin e vitit të kaluar, shifra është dy herë më e ulët, në dy muajt e fundit po vihet re një prirje e qartë rritëse e inflacionit, i cili në mars arriti nivelin më të ulët të viteve të fundit me 1.6 për qind. Sipas të dhënave të INSTAT-it, gjatë muaji të kaluar, qytetarët shqiptarë kanë shpenzuar më pak për të jetuar, në një kohë që çmimet e ushqimeve kanë vazhduar të ulen me 2 për qind, si rezultat i futjes masivisht në treg të prodhimit vendas. Rënia e kostos së jetesës është shkaktuar kryesisht nga ulja e çmimeve të artikujve ushqimorë, ndikuar nga futja në treg e prodhimit bujqësor vendas dhe nga ulja e çmimeve të mallrave të importit në botë, si pasojë e krizës globale. Por përfitimet që ka sjellë për konsumatorët, kjo rënie e çmimit të ushqimeve, janë zhvlerësuar nga shtrenjtimi i disa shërbimeve bazë, sidomos transportit dhe shëndetësisë. Sipas INSTAT-it, çmimet për transportin u rritën me 0.4 për qind krahasuar me prillin, kjo si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe benzinës, respektivisht me 0.6 dhe 2.5 për qind. Rritje çmimesh po vihet re edhe në shëndetësi, ku vetëm për majin çmimet e shërbimeve shëndetësore sipas INSTAT-it u rritën me 1.1 për qind. Inflacioni ndodhet tani në nivelet më të ulëta të viteve të fundit, por disa ekspertë paralajmërojnë se tregjet mund të përballen me një valë tjetër të rritjes së çmimit, që mund të vijë nga jashtë si pasojë e shpenzimeve të mëdha të qeverive europiane për të zbutur krizën.
9 Qershor 2009