Veliaj në Tropojë: “Koha për bashkim, jo për bastione”
Kryetari i G99-s, Erion Veliaj, ka hapur fushatën elektorale në qytetin e Tropojës. Në Tropojë, një qytet totalisht i harruar nga qeveria, ndonëse është dhe vendlindja e kryeministrit Sali Berisha, drejtuesi i G99-s u prit me entuziazëm nga aktivistët e rinj të këtij qyteti. Fillimisht Veliaj zhvilloi me ta një takim ku bëri thirrje që “të punojmë gjatë kësaj fushate për bashkim, e jo për ndarje të shqiptarëve e Shqipërisë në bastione që në fakt nuk ekzistojnë”. Veliaj tha se tashmë ekzistojnë vetëm bastione të të rinjve dhe se të rinjtë do t’ia dalin të ndryshojnë këtë vend më 28 qershor. “Këtë gjë e kam konstatuar në çdo cep të Shqipërisë ku G99-a po zhvillon fushatën e saj, që nga Lazarati e deri në Tropojë”, - tha kreu i G99-s. Pas takimit me të rinjtë Veliaj eci përgjatë shëtitores së Tropojës, ku u takua me banorë të shumtë të këtij qyteti, me të cilët bisedoi për vështirësitë e tyre të jetesës.
9 Qershor 2009