E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat dhe mungesa e transparencës në bilance, Tatimet aksione tek bizneset “VIP”

Nis furtuna e aksioneve dhe gjobave ndaj bizneseve të mëdha. Arsyeja primare, pasqyrat financiare dhe vendosja e kasave fiskale

Ervin KOÇI

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Krimit Ekonomik kanë nisur ditët e fundit një aksion të përbashkët ndaj bizneseve të mëdha në vend. Arsyeja e nisjes së kësaj fushate kontrollesh ndaj kompanive dhe subjekteve “VIP” ka qenë mungesa e bërjes transparente të pasqyrave fiskale dhe bilanceve nga kompanitë në fjalë për 3- mujorin e parë të vitit. Në krye të këtij aksioni ka qenë struktura më e re e ngritur brenda DPT-së, Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila ka për qëllim kontrollin e imtësishëm të të gjithë veprimtarisë së firmave dhe kompanive private. Lajmin në fjalë, burimet zyrtare të DPT-së janë munduar që ta mbajnë sekret, duke pranuar vetëm se bëhet fjalë për një kontroll rutinë i cili bëhet për të parë ecurinë e projektit për instalimin e kasave fiskale tek subjektet e biznesit “VIP”. Por nga ana tjetër janë vetë përfaqësues të kompanive të ndryshme të cilët kanë thënë për gazetën “Albania” se, “kontrolli tatimor ka pasur për qëllim verifikimin e bilanceve dhe pasqyrave të kontabilitetit që kompanitë e mëdha nuk i kanë dorëzuar akoma në tatime për shkak të bllokimit të punës prej krizës ekonomike”. Nga burime pranë DPT-së, mësohet se në qendër të kontrolleve tatimore kanë qenë kompani të ndryshme të industrisë përpunuese, të prodhimit të mallrave të porositur (fasonit), kompanitë e ndërtimit, si dhe ato të tregtimit të produkteve industriale dhe makinave. Sipas të njëjtave burime, shumë nga këto subjekte rezultojnë si debitorë në tatime, në një kohë që nuk kanë qenë të pakta edhe kompanitë që kanë nisur procesin e shpalljes së falimentimit, ku verifikimi për këtë të fundit po bëhet edhe në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës dhe QKR-në.

Kontrollet

Kontrollet e ditëve të fundit kanë pasur si qëllim përveç pasqyrave fiskale të kompanive të ndryshme, edhe verifikimin real të atyre subjekteve të mëdha që janë në vështirësi ekonomike. Sipas burimeve nga DPT-ja, bëhet fjalë për një mori kompanish të biznesit “VIP” të cilat kanë shpallur prej kohësh falimentimin pasi rezultojnë debitore të mëdha ndaj shtetit, në një kohë që vazhdojnë akoma aktivitetin e tyre të biznesit. Po kështu tatimet raportojnë edhe për shumë subjekte të cilat bëjnë evazion fiskal duke iu shmangur deklarimit real si për taksat dhe tatimet, ashtu dhe në Sigurimet Shoqërore për numrin real të të punësuarve. Të gjitha këto forma evazioni, së bashku me shmangien ose shitjen e aksioneve mes ortakëve, por pa i deklaruar ato në tatime, do të jenë objekt i punës së Drejtorisë së Hetimit Tatimor. Ndërkohë nuk janë përjashtuar as gjobat dhe sekuestrot që mund të ndërmerren ndaj të gjitha kompanive që do të verifikohen me shkelje ose evazion fiskal.

Bashkëpunimi

Si pasojë e mungesës së bashkëpunimit shumë firma private nuk i përgjigjen kërkesës ose e pranojnë me shumë vonesë që të paraqiten pranë Autoritetit të Konkurrencës, për çështje të ndryshme. Tregu shqiptar ka pësuar zhvillim të madh, ndërsa roli i shtetit në këtë kohë krize është bërë shumë i rëndësishëm. Në këtë pikë, bashkëpunimi i Autoritetit të Konkurrencës me institucionet shtetërore, do të ishte fillimi i mbarë për një studim tregu dhe marrje vendimi sa më realiste. Pas disa marrëveshjeve me institucione të ndryshme si tatimet, doganat, dhomat e biznesit etj., tashmë Autoriteti ka nisur bashkëpunimin me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, lidhur me realizimin e procesit të monitorimit të shit-blerjes së aksioneve. Një bashkëpunim i tillë ka si qëllimin shmangien e abuzimeve në treg, përmes shit-blerjes së paligjshme dhe shpesh abuzive që bëhet me aksionet e sipërmarrjeve apo ndërmarrjeve dhe bizneseve të ndryshme. Domosdoshmëria e nënshkrimit të një marrëveshje të tillë ka ardhur si pasojë e shumë rasteve që janë vënë re lidhur me kalimin e aksioneve në mënyra të dyshimta, nga njëri aksioner tek tjetri, duke i fshehur qëllimet e vërteta të kryerjes së një akti të tillë.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›