Rama: “Qeverisja e PS-së do të miratojë menjëherë statusin e minatorit”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar dje një takim me ish-minatorët e Gurit të Kuq në Pogradec. Gjatë takimit të zhvilluar me ta Rama është ndalur në angazhimet e socialistëve për këtë kategori të shoqërisë, e cila, tha ai, është e diskriminuar në të drejtat e saj me këtë qeverisje. Kreu i PS-së u angazhua për firmosjen e statusit të minatorit. “Ne angazhohemi solemnisht përpara jush se ajo kërkesë legjitime e kahershme dhe e refuzuar për vite me radhe me pashpirtësi dhe me cinizëm nga kjo politikë e vjetër në pushtet dhe nga ky kryeministër, që ka të bëjë me statusin e minatorit, do të merret nga ne parasysh dhe do të kthehet në realitet në 100 ditët e para të qeverisjes sonë”, - tha kreu i PS-së. Rama bëri një premtim edhe për ata minatorë që nuk kanë arritur moshën e pensionit, por ndërkohë nuk mundet të punojnë. “Për kategorinë e atyre që nuk punojnë dot dhe nuk e kanë arritur moshën e pensionit, nuk do t’i japim më trajtimin e veçantë prej 6500 lekësh, por pensionin minimal. Domethënë, pensionin minimal që fillon nga të paktën 12 mijë lekë (sigurisht të rinj). Pensionin minimal të qytetit, 12 mijë lekë, për secilin nga këta njerëz”, - vijoi kryesocialisti.
Rama është ndalur në faktin se jetëgjatësia e minatorëve është e shkurtër, sipas statistikave zyrtare, e shumica prej tyre nuk mund ta gëzojë pensionin me moshën e pensionit, që rritet nga viti në vit. Ai tha se mosha e daljes në pension për minatorët do të jetë 59 vjeç. “Mes galerisë nën tokë dhe të drejtës për të marrë një pension mbi tokë, pas një pune të stërmundimshme për dekada të tëra, qëndron vdekja. Këtë ne refuzojmë ta quajmë të natyrshme dhe do të bëjmë sakrifica të domosdoshme në emër të të gjithë shoqërisë që ju detyrohet juve respekt dhe mbrojtje të dinjitetit tuaj. Do të stopojmë moshën e pensionit tuaj në vitin 2010 te 59-a dhe asnjë vit më shumë. Dhe angazhohem përpara jush që personalisht, në emër të të gjithë qeverisë sonë, nesër do t’i qëndrojmë mbi kokë përditë çdo koncesionari, çdo sipërmarrësi që ka një kontratë me shtetin për shfrytëzimin e minierave dhe do të kërkojmë kushte të standardeve europiane, mbi dhe nën tokë”.
9 Qershor 2009