E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i ODIHR-it: “Nëpunësit e administratës janë kërcënuar për të marrë pjesë në mitingje”

“Ka aplikues që nuk janë kompensuar për çmimin e kartës”. “Fushata është mbizotëruar nga gjuha e ashpër e akuzave”

Eljona Ballhysa
Vëzhguesit e ODHIR-it kanë bërë publike se dy partitë e mëdha kanë kërcënuar nëpunës të sektorit publik se do të hiqen nga puna në rast se nuk marrin pjesë në aktivitetet politike. Kjo është bërë e ditur dje gjatë publikimit të raportit të dytë të misionit të vëzhguesve të ODIHR-it mbi ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri. Në të theksohet se fushata është mbizotëruar nga gjuha e ashpër e akuzave të ndërsjella midis kundërshtarëve politikë. Sipas vëzhguesve, të dy liderët kanë shfrytëzuar aktivitete zyrtare për të bërë fushatë, ndërsa nëpunësit e administratës janë kërcënuar se do të hiqen nga puna nëse nuk marrin pjesë në aktivitetet politike.
Atmosfera
Në raport atmosfera politike është cilësuar e qetë dhe e paqme, me përjashtim të disa incidenteve të izoluara. Sipas vëzhguesve, fushata është mbizotëruar nga një gjuhë e ashpër akuzash. “Disa parti zhvilluan mitingje hapëse të fushatës zgjedhore gjatë të cilave prezantuan programin elektoral dhe kandidatët. Kryetarët e partive kanë udhëtuar shpesh në të gjitha qytetet e vendit ku kanë zhvilluar mitingje për hapjen e fushatës. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, është fokusuar në arritjet e qeverisë, sigurisht dhe në reformat që do të marrë në të ardhmen në rast fitoreje, në fusha të tilla si zhvillimi i infrastrukturës, lufta kundër korrupsionit, arsimi, reforma e taksave dhe promovimi i biznesit të vogël. Ndërsa PS-ja është fokusuar në arritjet e liderit të saj, Edi Rama, si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ka premtuar që ta zgjerojnë këtë sukses në të gjithë vendin, duke zhvilluar infrastrukturën, reformën e taksave dhe mbrojtjen e mjedisit. PD-ja ka hedhur akuza se në mitingun hapës të PS-së ka marrë pjesë një ish-ministër i periudhës së diktaturës komuniste, ndërsa PS-ja e ka akuzuar PD-në për korrupsion”, - shkruhet në raportin e ODHIR-it. Vëzhguesit theksojnë se që të dyja partitë, si PS-ja, ashtu dhe PD-ja, kanë përdorur aktivitetet publike për fushatë zgjedhore. “Që të dyja, si qeveritarët, ashtu dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, kanë përdorur evenimente zyrtare për qëllime të fushatës. Për shembull, kryeministri, më 25 maj mori pjesë në përurimin e një hidrocentrali në Shkodër ku ishte mbledhur një turmë e madhe njerëzish që mbanin flamujt e PD-së. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, më 29 maj, inspektoi punimet në Parkun e Tiranës dhe gjatë fjalës së tij ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për PS-në”, - shkruhet në raport.
Sipas vëzhguesve të ODIHR-it, “ka të dhëna të besueshme se nëpunës të sektorit publik janë detyruar të marrin pjesë në të tilla aktivitete. ODIHR-i ka të dhëna se nëpunës të sektorit publik kanë marrë kërcënime se do të humbin punën në rast së nuk marrin pjesë në aktivitetet politike”, - shkruhet në raport.
Kartat
Në raportin e ODIHR-it bëhet e ditur se kanë vazhduar përpjekjet për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. “Që më 30 maj vetëm qytetarët që nuk disponojnë pasaportë lejohen të aplikojnë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, rreth 1.17 milionë aplikime për karta janë bërë deri në datën 31 maj. Opozita vazhdon të theksojë se procesi nuk po menaxhohet siç duhet. Më 1 qershor deklaroi se do të bëjë kallëzim penal kundër zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, të cilët, sipas PS-së, kanë manipuluar të dhënat. Gjatë kësaj periudhe asnjë subjekt zgjedhor nuk e ka kundërshtuar listën e zgjedhësve, në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara”, - shkruhet në raport. Vëzhguesit afatgjatë të ODIHR-it bëjnë të ditur se “jo të gjithë qytetarët janë subvencionuar nga shteti për çmimin e kartës së identitetit sipas vendimit të qeverisë”. Ndërsa grupe të ndryshme aplikuesish nuk janë kompensuar për çmimin e udhëtimit. Po kështu procesi i aplikimit me karta ka pasur probleme me mungesën e internetit dhe energjisë elektrike. “Më 28 maj Ministria e Brendshme i dërgoi PS-së, Prezencës së OSBE-së në Shqipëri të dhëna të pasakta rreth qytetarëve që nuk kanë pasaportë. Kjo çoi në deklarata të anasjella midis PS-së dhe qeverisë. Ndërsa Ministria e Brendshme e cilësoi një gabim teknik”, - sqarohet në raport.
“Komisioni Qendror Zgjedhor ka vazhduar përgatitjen për zgjedhjet. Gjatë kësaj periudhe ai miratoi vendimin për nxjerrjen e rezultatit, miratoi fletën e votimit dhe disa vendime të tjera. Pavarësisht nevojës për pavarësi, anëtarët e KQZ-së mbajnë qëndrime të njëanshme sipas partive që i kanë propozuar”, - shkruhet në raport.
Vëzhguesit afatgjatë të ODIHR-it deklarojnë se komisionerët e zonave të administrimit të votave nuk zhvillojnë takime të rregullta dhe nuk zbatojnë oraret e miratuara nga KQZ-ja. Përsa u përket mediave, dy javë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore të gjitha televizionet e monitoruara shfaqën reklama të subjekteve të ndryshme politike, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Monitorimi i mediave nga ODIHR-i rezulton se programet e tyre transmetojnë informacion të pabalancuar politikisht, duke mbuluar kryesisht vetëm dy partitë e mëdha.

9 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›