INSTAT: Mars-qershor, ekonomia rritet me 5.3 %
Rritja ekonomike në tremujorin e dytë të këtij viti ka kaluar sipas INSTAT edhe parashikimet me optimiste. Gjatë periudhës mars –qershor, ekonomia vendase u rrit me 5.3 për qind kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2008, njoftuan dje burimet zyrtare të INSTAT. Duke ju referuar edhe të dhënave të tremujorit të parë të këtij viti, ku rritja ekonomike shënoi 6 për qind, është vërtetuar parashikueshmëria se ritmet e rritjes ekonomike këtë vit do të jenë më të ulëta. Degët që kanë kontribuar më së shumti në këtë rritje ishin, sipas INSTAT, Post-Telekomunikacioni me 18.1 për qind, shërbimet me 15.9 për qind dhe ndërtimi me 9.8 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008. Ndërkohë që degët të cilat patën rënie në këtë tremujor ishin industria dhe tregtia me -6.3 dhe -3.2 për qind. Më konkretisht, aktiviteti bujqësor në tremujorin e dytë të 2009 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, është rritur me 2.7 për qind. Grupi i industrive pësoi një rënie prej 6.3 për qind në tremujorin e dytë të 2009 krahasuar kjo me tremujorin e dytë të 2008. Ndërkohë që aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 9.8 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008. Grupi tregti, hotele dhe restorante pati një rënie prej 3.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 krahasuar me të njëjtin tremujorë të një viti më parë. Aktiviteti i transportit në tremujorin e dytë të vitit 2009 u rrit me 1.7 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Dega e Post-Telekomunikacionit pati një rritje prej 18.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2009 përkundrejt tremujorit të dytë të 2008 dhe dega e shërbimeve në tremujorin e dytë të vitit 2009 pati rritje me 15.9 për qind, kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2008. Shifra 5.3% krahasuar me tremujorin e dytë të një viti më parë është e llogaritur pa efektet sezonale. Më konkretisht, rritja prej 5.3 për qind i tremujorit të dytë të vitit 2009 krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2008 është bazuar mbi seritë e të dhënave tremujore të pa zhveshura nga efektet sezonale, pasi të dy këta tremujorë i përkasin të njëjtës periudhë kohore të vitit dhe kjo e reflekton më mirë tendencën tremujore nga viti në vit. Për shkak të periodicitetit që kanë seritë tremujore, shumë shpesh ato përfshihen nga lëvizje në periudhën afat-shkurtër, të njohura si lëkundje sezonale. Këto lëvizje mund të shkaktohen nga një sërë faktorësh si moti, ndryshimet legjislative, punësimi sezonal (orët e punës), koordinimi i vendim-marrjeve, etj. Këto lëvizje tentojnë që të përsëriten në mënyrë të rregullt në çdo tremujor të çdo viti. Ministria e Financave parashikon një rritje ekonomike në ritmet e 5 për qindëshit, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar mbetet konservator në parashikime, pasi sipas tij ritmet e rritjes këtë vit nuk do të jenë më shumë se 0.7 %.