INSTAT: Minus 33 miliardë lekë
Tregtia me jashtë, deficit rekord
Deficiti tregtar në muajin dhjetor arriti në 33 miliardë e 324 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 18.1 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 7.8 për qind krahasuar me dhjetor 2008. INSTAT publikoi dje të dhënat e tregtisë me jashtë, duke theksuar se janë eksportuar rreth 9.8 miliardë lekë mallra, me rritje 3.1 për qind në krahasim me muajin nëntor 2009 dhe rritje me 41.8 për qind në krahasim me dhjetorin e 2008-s. Kurse importet regjistruan 43 miliardë lekë mallra, me rritje 14.3 për qind në krahasim me nëntorin 2009 dhe rritje 0.2 për qind në krahasim me një vit më parë. INSTAT i raporton të dhënat në monedhën vendase, e cila ka humbur shumë pikë ndaj euros. Nëse do të raportoheshin në monedhën evropiane, do të kishim rënie të importeve me të paktën 10 për qind. Tregtia me vendet e Bashkimit Europian në dhjetor është 65.4 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 60.6 për qind dhe importi 26.2 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 5.1 për qind dhe importi 14.5 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin Britani e Madhe, Kinë, Kroaci, SHBA, Turqi etj., dhe për importin Austri, Greqi, Gjermani, Itali, Kinë etj. Sipas Institutit të Statistikave, në muajin dhjetor 2009, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën 3 miliardë e 883 milionë lekë, duke zënë 9 për qind ndaj totalit të importit. Krahasuar me nëntor 2009, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 7.9 për qind. Peshën më të madhe të këtyre mallrave të importuar e zënë nënproduktet e naftës (70 për qind).
#