Berisha: Do të privatizoj gjithçka
Deklarata
Kryeministri nuk përmendi se çfarë ka mbetur pa u privatizuar
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se ka ndër mend të shesë çfarëdolloj prone publike që disponon, por nuk tha se çfarë ka mbetur pa u privatizuar në Shqipëri. Në takimin me disa ministria dhe ekspertë, Kryeministri tha se “armiku numër një i privatizimit është korrupsioni. Ai përpiqet të bëjë çdo gjë për ta bllokuar atë, sepse status quo-ja u leverdis atyre, i mjelin si lopën dhe i fusin në xhepat e tyre aksionet publike të qeverisë apo sipërmarrjet e tjera më radhë. Armiku i dytë është burokracia jonë, e cila zvarrit këtë proces që duam të eci me shpejtësi të madhe”.Sipas tij, ky vit do të jetë përcaktues për pothuajse çdo gjë që ka mbetur pa privatizuar përveç shkollave, spitaleve, digave dhe ndonjë gjë krejtësisht të parëndësishme.
Shqipëria ka shitur të gjitha ndërmarrjet e sektorit strategjik dhe shumicën dërrmuese të ndërmarrjeve të mesme e të mëdha jashtë sektorit strategjik. Nën pronësinë e qeverisë kanë mbetur disa ndërtesa publike, si dhe sipërfaqe të ndryshme toke të shpërndara në të gjithë vendin.
#