E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN-ja i “bën qejfin” qeverisë: “Jeni larg nga kriza financiare globale”



Ervin Koçi

“Bankat në Shqipëri nuk ndjekin të njëjtin model si të bankave në SHBA dhe në BE, e në këtë mënyrë janë larg kërcënimit të falimentimit”. Ky ka qenë qëndrimi më i fundit i mbajtur nga shefi i misionit të FMN-së për Shqipëri, Gerwin Bell, i cili ka komentuar situatën financiare të Shqipërisë. Ai shtoi se, “Banka e Shqipërisë ka punuar mjaft mirë për ta mënjanuar krizën financiare që po pllakos gjysmën e botës”. Megjithatë, Bell tha se, “në këtë situatë nevojitet vigjilencë më e madhe jo vetëm nga Banka Qendrore, por edhe nga qeveria”. Por më tepër sesa një deklaratë për të treguar garanci dhe besim për sistemin tonë bankar, deklarata më e fundit e shefit të FMN-së duket se i “bën qejfin” qeverisë shqiptare, mbase pas rishikimit të marrëdhënieve me Misionin, i cili duhej të largohej nga Shqipëria në fund të vitit të ardhshëm. Ndërkohë deklarata e djeshme e shefit të FMN-së bie në kontradiktë me deklaratën e tij të vetëm para dy javëve, ku Gerwin Bell tha se “në Shqipëri bankat zotërohen nga kapitali i huaj, çka sjell që kriza financiare që ka prekur botën të reflektohet edhe në vendin tonë. Fakti se sistemi bankar në Shqipëri është i zotëruar nga investitorë të huaj, bankat mëmë të të cilave marrin pjesë në tregun ndërbankar europian, përbën një mundësi që të reflektohen krizat nga këto tregje edhe në tregjet shqiptare. Kjo është një nga arsyet që ne e këshillojmë Bankën e Shqipërisë ta monitorojë më shpesh situatën monetare dhe financiare”.

Mandati i FMN-së

Përsa i takon rishikimit të mandatit, shefi i Misionit tha se "FMN-ja është gati për një shtyrje të afatit jo me kushtet që aplikohen tani dhe jo me kohëzgjatje 3 vjet. Vendimi i qeverisë bëhet akoma dhe më i vështirë në një kohë kur situata ekonomike në botë po shkon drejt përkeqësimit dhe një mbështetje e FMN-së do të ishte tepër e nevojshme". Duke filluar nga viti i ardhshëm, FMN-ja do të funksionojë sipas artikullit 4, me një tjetër lloj standardi. FMN-ja do të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri, politikat monetare, politikat buxhetore, hartimin e buxhetit, por nuk do të mundë të japë “urdhra”. Kështu, në rast se qeveria e sheh të domosdoshme të ulë TVSH-në, për shembull, mund ta bëjë atë, duke besuar në politikën e saj qeverisëse. Në rast se qeveria do të dëshironte të bënte të njëjtën gjë gjatë këtyre viteve, nuk do të mund ta bënte, pasi FMN-ja nuk do ta lejonte. Largimi i FMN-së nga ky stad monitorimi në stadin tjetër të këshilluesit, do të thotë që Shqipëria ka të njëjtin nivel besueshmërie në hartimin dhe zbatimin e politikave ekonomike me vendet më të zhvilluara.

Takimi në SHBA

Dy krerët më të lartë të institucioneve financiare në vend, ministri i Financave, Ridvan Bode dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, pritet të marrin pjesë në takimin e radhës me FMN-në, në Uashington të SHBA-së. Thelbi i diskutimit do të jetë marrëveshja që vendi ynë ka me FMN-në, lidhur me treguesit buxhetorë, situatën ekonomike dhe nivelin e varfërisë. Takimi konsiderohet tepër i rëndësishëm për vetë faktin se zhvillohet në një situatë aspak të qetë ekonomike që po kalon e mbarë bota, por edhe sepse FMN-ja ndodhet në muajt e fundit të mandatit, dhe se qeveria shqiptare duhet të vendosë apo shtyrjen e misionit të saj në Shqipëri. Në takim për palën tjetër marrin pjesë zëvendësdrejtori i FMN-së, Portugal, shefi i Misionit, Bell, si dhe përfaqësuesja e përhershme në Tiranë, Westin.

Ankandi, BSH-ja hedh për shitje 4.6 miliardë lekë bono thesari

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 3-mujor, me vlerë totale prej 4.6 miliardë lekë, të cilat do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Për këto bono, nga 6 kërkesat konkurruese të paraqitura, u pranuan 4 prej tyre. U kërkuan për shitje bono me vlerë 5,261,330,000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 4,600,000,000 lekë Yield-i maksimal i pranuar është 6.25 për qind, yield-i minimal i pranuar është 6.1 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 6.15 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 6.17 për qind. Këto bono do të maturohen më datë 23.01.2009.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›