E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e pjesshme lokale, KQZ miraton afatet e kandidimit

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje afatet për paraqitjen e kandidatëve për kryetar komune dhe bashkie, për shkak të votimit të pjesshëm që do të mbahen më 15 nëntor. Ky votim i pjesshëm realizohet për shkak se kryetarët e këtyre njësive të qeverisjes vendore janë zgjedhur deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Në bashkinë Klos, Fushë-Arrëz, njësinë bashkiake 10 të Tiranës, si dhe në komunat Otllak dhe Fierzë, do të mbahen këto votime për zgjedhjen e kryetarit. KQZ-ja ka vendosur që “anëtarët e KZAZ 2, 6, 36, 43 dhe 54 duhet të paraqiten nga partitë jo më vonë se data 12.10.2009. Partitë politike duhet të paraqesin anëtarët e KQV-ve brenda datës 17 tetor, KZAZ merr vendimin brenda 24 orëve. Ndërsa regjistrimi i subjekteve zgjedhore realizohet jo më vonë se 11 tetori”. Koalicionet e partive politike duhet të paraqesin kërkesën jo më vonë se data 15 tetor, ndërsa komisionet nismëtare për kandidatët e pavarur në datën 14 tetor. Sipas vendimit të marrë me shtatë vota pro të të gjithë anëtarëve të KQZ-së, dokumentet e kandidimit paraqiten jo më vonë se data 18 tetor, brenda 24 orëve KZAZ merr vendim dhe akreditimi i vëzhguesve bëhet jo më vonë se 31 tetori. Gjithashtu KQZ-ja i kërkon prefektëve të Beratit, Kukësit, Dibrës, Shkodrës dhe Tiranës që t’i paraqesin KQZ-së listën e plotë të objekteve brenda territorit të qarkut, që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendet e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 20 tetor. Në relacionin e paraqitur nga administrata theksohet se përcaktohen vetë etapat e paraqitjes së dokumentacionit dhe regjistrimit për shkak se Kodi Zgjedhor nuk e përmban një gjë të tillë. “Kodi Zgjedhor parashikon që zgjedhjet e pjesshme zhvillohen sipas të njëjtës procedurë si ato të përgjithshmet, por nuk parashikon afatet procedurale që do të respektohen në votimet për zgjedhjet e pjesshme për kryetar më 15 nëntor të këtij viti”, thuhet në relacionin e KQZ-së. Ndërsa sot pritet të hidhet shorti se kujt i takon anëtari i shtatë i KZAZ-së, ndërmjet PS-së dhe PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›