E Diel, 1 Nëntor 2026

Kutitë e votimit ruhen me armë e rrufepritës në Lundër, Rama: Ristani, mos guxo t’i asgjësosh

 

Ferdinand Dervishi

Në Lundër të Tiranës, pak më tej kompleksit luksoz “Blur”, dera e hekurt e Rezervave të Shtetit megjithë tabelën kërcënuese “Ndal Policia”, me pikëçuditëse pas fjalës së parë, nuk të imponon asnjë lloj frenimi. Mbase sepse pas, para, apo në afërsi të saj, nuk ka asgjë të ngjashme me policin. Thonë se këtu, në një magazinë, ruhen kutitë e votimit të zgjedhjeve të fundit. Të vulosura, siç erdhën nga qendrat e numërimit. Socialistët, humbës në zgjedhje, pretendojnë se fitorja e tyre gjendet e fshehur në këto kuti. Thuhet se magazina ruhet... Se socialistët kanë vendosur njerëz. Njerëz që të ruajnë se mos pushtetarët i marrin kutitë natën si hajdutë dhe i asgjësojnë bashkë me të vërtetën që mbartin. Ruajnë që të sinjalizojnë edhe lëvizjen më të vogël.
Por pamja e parë para portës metalike me tabelën “Ndal Policia”, një kafeneje të mjerë në të djathtë dhe një ndërtese dykatëshe të amortizuar në të majtë, shoqëruar me mungesë të theksuar njerëzish, të vizaton më shumë në mendje një fermë fshati. Kjo sepse pemët dhe barishtet e tjera pothuaj u kanë zënë frymën magazinave gjigante, ndërsa në ajër, si për të plotësuar idenë, endet paqësisht shija e avullit të bajgave të lopëve.
Në kafene shërbehet dhallë, sepse nuk ka ekspres. Dhallë e blerë te shumica. Të gjitha këto i informoi, pa kërkuar asnjë lloj identifikimi, Qaniu, një banor trupimët i Lundrës, që kishte vënë përpara dy shishe me lëng të bardhë.
“Eh, mor djem. Këtu dikur ka pasur një mijë punonjës, tani nuk ka as dhjetë. Shiko si janë katandisur magazinat. U shkretuan në vitin 1997, por dora e fundit iu dha më 14 shtator 1998, pas vrasjes së Azem Hajdarit. Erdhën natën, të organizuar nga Tirana. Në mëngjes i gjetëm rojet të lidhur pas pemëve. Që nga kjo kohë Rezervat nuk e morën më veten...”
Kuptohet që Qaniu ka pirë vetëm dhallë. Dhallë, shoqëruar me kutërbimin shpues të bajgave.
Te magazina e kutive të votimit
 “Ju doni të shikoni magazinën ku ruhen kutitë e votimit? E lehtë fare. Dy roje janë, një këtu te postblloku, një brenda. Por po të futesh këtej nga magazinat që kanë marrë Sigurimet Shoqërore, shkon deri te vendi...”
Qaniu thotë se nuk e ka për gjë të na shoqërojë. Shton se nuk ka ç’të humbë, se “ata” e kishin hequr nga puna vite e vite më parë dhe se vendin e njihte në pëllëmbë të dorës. 
“Nga sa di unë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dy magazina të tijat. Një e ka marrë në kohën kur Kryeministër ishte Fatos Nano, një tani, në kohën e Sali Berishës. Janë marrë me vendim qeverie. Pra, magazinat nuk janë më të Rezervës, por krejtësisht pronë e KQZ-së. Këtu erdhën kutitë pas zgjedhjeve të 28 qershorit. U bë radha e makinave deri te Kartodromi. Ja shikojini magazinat. Janë radhë. E para, ku nuk është bërë asnjë meremetim, dhe e dyta, ajo e restauruara, me çati të kuqe. Këtu ruhen kutitë e votimit...”
Në fakt magazina ku ruhen kutitë e votimit është më e sakta dhe më e mirëmbajtura nga të gjitha. Duket që vitet e fundit ajo është restauruar totalisht, ndërruar çatia, suvatuar e lyer me shije, madje me dy ngjyra të ndryshme.
“E ka restauruar Celibashi. Ish-kryetari i KQZ-së në kohën e Fatos Nanos. Edhe brenda është bërë goxha punë, se atëherë punoja edhe vetë këtu. I shikoni ato shufrat e hekurta mbi çati, të vendosura një në 5 metra. Janë rrufepritës origjinalë. Janë të lidhur me tokën, me tokëzim. Është punuar saktë ore. Ndërsa në brendësi ka sistem antizjarr. Kupton. Një shkëndijë dhe shpërthen uji. E kemi bërë provë atëherë kur u restaurua. Nuk i djeg dot kollaj kutitë...”
Lëvizja në anën tonë e policit rojë e ndërpret këtu vizitën. Prapakthehu! Te lokali dy banorë të tjerë kanë porositur shishe të bardha me dhallë, kutërbimi i bajgave është bërë edhe më i fortë, ndërsa te porta hyrëse e Rezervave të Shtetit është shfaqur një roje i veshur civil.
Zyrtari
Roja është i njerëzishëm. I gjendshëm.
“Jua lajmëroj unë drejtorin”, thotë. Drejtori nuk vonon. Quhet Ndriçim Hasani, ka atributet e Drejtorit Rajonal të Rezervave të Shtetit dhe qëllon që edhe ky të jetë djalë i shtruar dhe i komunikueshëm. Shkojmë sërish te lokali dhe sërish porositen shishe të bardha.
“Nuk mund të largohem më shumë”, thotë Drejtori si për të justifikuar mungesën e kafes në lokal. Një minutë më pas tjetri bie dakord të na thotë jo më shumë se sa i takon. Se Rezervat e Shtetit, të paktën shifrat për mallrat që ruhen aty, përbëjnë sekret shtetëror, se jashtë kësaj teme i takon të jetë edhe më i rezervuar...
“Kam disa vjet drejtor këtu dhe e njoh situatën. Duhet të kuptoni që Rezervat e Shtetit nuk kanë më atë funksionin e mëparshëm, që të përdoreshin në kohë lufte, por më shumë përdoren për të përballuar emergjenca. Për shembull ne kemi mbuluar pjesën më të madhe të emergjencave në Gërdec dhe së fundmi në Dibër, në zonën e tërmetit”, rrëfen Drejtori duke shtuar se dikur Rezervat kanë qenë në varësi të Pushtetit Lokal, ndërsa aktualisht janë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.
“Ju rrëfej edhe për magazinat në pronësi të Komisionit të Zgjedhjeve. Sepse e kuptova qëllimin tuaj. Janë dy magazina në pronësi të KQZ-së të marra me VKM qeverie dhe një e tretë e dhënë me marrëveshje për një vit. Në njërën nga magazinat ruhen kutitë e votimeve. Por edhe ne punonjësit e Rezervave nuk mund të afrohemi andej. Duhet të sqaroj se magazinat e KQZ-së ruhen me policë të armatosur të Policisë së Shtetit. Pra, si magazinat ashtu edhe rojet janë jashtë kompetencave të Rezervave të Shtetit. Sepse të gjithë keqkuptohen. Ne vetëm portën hyrëse kemi të përbashkët. Por ka edhe të tjerë që keqkuptohen. Thuhet për shembull se edhe makinat e sekuestruara të trafiqeve ruhen te Rezervat e Shtetit. Edhe kjo është gabim. E saktë është që makinat janë në brendësi të ambienteve të Rezervave të Shtetit, por sërish ato ruhen dhe administrohen nga Policia”.
Por Drejtori nuk ndalet këtu. Kupton thelbin e vizitës dhe lëshon: “Të jeni të sigurt se janë për çdo turn të paktën katër roje të armatosur me kallashnikov që ruajnë gjithë këto ambiente. Dhe nuk na ka ndodhur, të paktën këto vite të fundit, asnjë incident apo tentativë vjedhjeje. Ndërsa mediave nuk ua kuptoj qëllimin. Unë jam nëpunës dhe e njoh se si veprohet për të tërhequr një mall nga magazinat. Një mall i skaduar për shembull. Kuptoni? Kështu veprojnë të gjithë. Merret një vendim, bëhet publik, caktohet fondi, punonjësit, niset kamioni, mbushet dhe shkon të zbrazet sërish në një vend të monitoruar, ku malli i skaduar mund të digjet. Më kuptuat besoj?”. 

Rama: Ristani të mos prekë kutitë

BLEDAR HOTI

Kreu i PS-së, Edi Rama, i kërkon kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të KQZ-së, Arben Ristani, që të mos i prekin kutitë e votimit për të asgjësuar fletët e votimit. Kryesocialisti ka ashpërsuar qëndrimin e tij, duke bërë të ditur se do të nisin protesta të fuqishme në të gjithë rrethet e Shqipërisë nëse nuk pranohet kërkesa për hapjen e kutive të votimit. “I bëj apel Sali Berishës të kuptojë se prekja e kutive të votimit apo, largqoftë për të e për ushtarin e tij fanatik në krye të KQZ-së, asgjësimi i kutive ndërkohë që ne kërkojmë hapjen e tyre, jo vetëm që nuk do ta shpëtojë këtë pushtet të korruptuar e korruptues nga përballja me të vërtetën e popullit opozitar, por përkundrazi do të konsiderohet prej nesh si një shprehje e patolerueshme e dhunës ndaj opozitës”, deklaroi Rama në deklaratën për shtyp. Ai theksoi se, “i bëj apel Sali Berishës të kuptojë se Partia Socialiste nuk hyn në Parlament pa u plotësuar kërkesa e patjetërsueshme për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe me të gjithë opozitën ne do të përshkallëzojmë manifestimin e protestës për shkeljen e ligjit që garanton hapjen e kutive të votimit”. “Manifestimi opozitar i të shtunës, 10 tetorit, është vetëm fillimi i një përpjekje që ne do ta shtrijmë, në çdo rrugë të vendit, në qoftë se pushteti i lindur nga grabitja e votave nuk hap kutitë e 28 qershorit. Të shtunën, 10 tetor, e gjithë opozita, paqësisht, por me shumë forcë, do të protestojë për t’i dhënë fund çdo lloj dhune mbi votën e mbi njerëzit që masivisht po vazhdojnë të hiqen nga puna për shkak të bindjeve e përkatësive të tyre politike”, theksoi Rama. Sipas kryesocialistit, Berisha duhet të kuptojë se nuk mund të vazhdojë të tallet me shqiptarët, duke u thënë përditë se opozita po pengon heqjen e vizave. “Sepse shqiptarët janë paralajmëruar prej nesh, kohë më parë, që me Sali Berishën e me pushtetin e tij, Shqipëria do të mbetej, siç mbeti, jashtë programit të heqjes së vizave ku u futën Serbia, Mali i Zi e Maqedonia. Sali Berisha duhet të japë llogari pse nuk u fut Shqipëria në grupin e këtyre vendeve, gjë e vendosur shumë më parë se opozita vendosi të mos hynte në Kuvend për shkak të grabitjes së votave. Dhe këtë llogari do ia kërkojmë ne që të gjithë edhe të shtunën pasdite në 10 tetor përpara zyrës së tij”, tha Rama. Protestën e së shtunës Rama e ka cilësuar si një betejë qytetare, e cila hyn në një fazë të re ku PS-ja do të jetë në krye të saj. “Pa çliruar çdo qytetar nga hija e hakmarrjes politike të pushtetit të radhës, nuk ka Shqipëri evropiane për të gjithë. Ne na intereson Shqipëria evropiane për të gjithë dhe jo Shqipëria evropiane për Sali Berishën, Ilir Metën, Fatos Nanon dhe për kompaninë e tyre, bashkë me oborret e tyre, klanore dhe familjare”, përfundoi Rama.

Neni 178 i Kodit

Menjëherë pas shpalljes së rezultateve nga KZAZ-ja, komisioni i dërgon KQZ-së, në mënyrën e caktuar prej saj, të gjitha kutitë e vulosura të votimit me procesverbalet e votimit, vulën e komisionit, fletët e votimit të përdorura në zgjedhje, si edhe fletët e votimit të papërdorura.

Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›