Buxheti 2009, javën e ardhshme nis diskutimi në Kuvend
Projektbuxheti i vitit të ardhshëm pritet t’i kalojë Kuvendit brenda pak ditësh. Burime pranë Ministrisë së Financave shprehen se projekti është gati dhe pritet të shkojë në qeveri brenda kësaj jave, duke bërë të mundur që në Kuvend të mbërrijë në mesin e muajit tetor. Projektbuxheti i vitit 2009 do të ketë shifra rekord. Sipas të dhënave paraprake, totali i shpenzimeve të këtij buxheti pritet të kapin shifrën e 5.2 miliardë dollarëve, më e larta që nga krijimi i shtetit shqiptar. Ministria e Financave po bën gati draftin ligjor për ta kaluar në qeveri. Bisedimet me institucionet, si dhe mbikëqyrja e FMN-së ka përfunduar, ndërsa pritet vetëm dërgimi i projektit në qeveri. Ashtu si në buxhetet paraardhëse, fondet janë përqendruar në projekte madhore dhe prioritete kryesore. Infrastruktura, arsimi, shëndetësia, rritja e pagave dhe pensioneve, rritja e fondeve për institucionet e drejtësisë janë disa nga detajet që bëhen të ditura paraprakisht nga ky projekt. Rritje fondesh të konsiderueshme kanë përfituar investimet publike, arsimi dhe shëndetësia. Ministrisë së Arsimit i shtohen përkatësisht për vitin 2009, 1 miliardë lekë për ndërtim shkollash dhe pajisjen me mjete të shkollave ekzistuese. Ministrisë së Shëndetësisë do t’i shtohen 100 milionë lekë për shërbimin parësor dhe 100 milionë lekë të tjera për medikamentet e rimbursueshme. Projektbuxheti i vitit 2009 pritet të vijë brenda 2 javëve në Kuvend për t’u miratuar, pasi të kalojë në qeveri.
7 Tetor 2008