E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE letër Berishës: S'duam kufizim

Ministri i Jashtëm Finlandez, Aleksander Stubb: Jemi të gatshëm të vazhdojmë punën, në të mirë të popullit shqiptar

Kreu i OSBE, letër Bashës: Nuk duam të largohemi

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), ndryshe nga sa pretendon qeveria shqiptare, nuk dëshiron të kufizojë aktivitetin e saj në Shqipëri. OSBE ka thyer heshtjen dhe ka pranuar të bëhet pjesë e debatit të gjerë publik që po zhvillohet prej disa ditësh, në lidhje me një kërkesë të qeverisë shqiptare për largimin apo kufizimin e mandatit të saj në Shqipëri, duke konfirmuar dëshirën e saj për të vazhduar misionin e saj në vendin tonë. Zyra e kësaj organizate në Tiranë, megjithëse nuk ka pranuar që të prononcohet direkt në lidhje me ketë debat, ka vënë dje në dispozicion të medias, pjesë nga letra që Shefi i radhës së OSBE-së, njëkohësisht Ministri i Jashtëm Finlandez, Aleksander Stubb i ka nisur homologut të tij shqiptar, Lulëzim Basha. Me anë të kësaj letre, që mban datën 14 korrik 2008, Stubb, nisur nga interesi i vazhdueshëm që ka shprehur Ministria jonë e Jashtme dhe ambasadori ynë në Vjenë, Gilbert Galanxhi për ridimensionimin e rolit të këtij organizmi në Shqipëri, ka siguruar vullnetin e plotë të saj për të vazhduar misionin për të cilin është mandatuar prej vitesh në vendin tonë. Ai bën të ditur në këtë letër se kjo organizatë po ndjek prej kohësh këtë debat (nuk bëhet fjalë për debatin e ditëve të fundit mediatik, por për një debat më të hershëm zyrtar jopublik që është zhvilluar midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe OSBE-së) dhe se është e interesuar që të përmbushë misionin e saj të asistencës dhe monitorimit të gjithanshëm të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri. “OSBE po e ndjek me vëmendje debatin publik për mandatin e saj në Shqipëri. OSBE-ja luan rolin e një partneri afatgjatë për të ndihmuar Shqipërinë të vazhdojë reformat dhe kërkon të bashkëpunojë me të përmes realizimit të një sërë projektesh në përputhje me mandatin”,- shprehet Stubb, në letrën e vet dërguar Bashës. Gjithashtu ai konfirmon se OSBE mbetet e angazhuar për të vazhduar më tej punën e saj me Autoritetet Shqiptare dhe për këtë kërkon mirëkuptimin e tyre. “Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë punën, në të mirë të popullit shqiptar”,- thekson më tej ministri i Jashtëm Finlandez, Aleksander Stubb. Në këtë mënyrë, vetë zyra e OSBE-së në Tiranë ka hedhur poshtë dhe pohimet e para disa ditëve të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, i cili deklaroi se “qeveria shqiptare nuk ka kërkuar asnjëherë largimin e OSBE-së”. Vetë data 14 Korrik që mban kjo letër, konfirmon se bëhet fjalë për një debat të hershëm dhe jo të stisur, siç edhe pretendojnë organet zyrtare të shtetit shqiptar. Ndërkohë, siç bëjnë të ditur burime pranë zyrës së kësaj organizate në Tiranë, qeveria shqiptare ka kërkuar kufizimin e veprimtarisë së OSBE-së në Shqipëri, vetëm në tre drejtime: asistencë për Reformën Zgjedhore, asistencë në realizimin e Reformës në Drejtësi dhe bashkëpunimi me qeverinë shqiptare për garantimin e një mirëqeverisjeje.

-------------------------------------------------------Ministria e Jashtme dhe Ambasadori ynë në OSBE kanë paraqitur kërkesë për kufizimin e mandatit, në vetëm tre fusha

Debati për kufizimin e mandatit të OSBE-së në vendin tonë nuk është një “rrufe në qiell të hapur”. Deklarata e përfaqësuesit amerikan në Shqipëri, në lidhje me këtë çështje, duket se ka shërbyer vetëm për bërjen e tij publik në media, pasi në tryezat dhe marrëdhëniet zyrtare midis autoriteteve shtetërore shqiptare dhe vetë OSBE-së, ka kohë që diskutohet për një gjë të tillë. Një fakt të tillë e konfirmojnë burime pranë zyrës së kësaj organizate në Tiranë, të cilat bëjnë të ditur se çështja e mandatit ka kohë që diskutohet institucionalisht midis Shqipërisë dhe OSBE-së. Sipas tyre ka disa kohë që është shkëmbyer një korrespondencë e gjatë në lidhje me ketë çështje, pavarësisht se deri më tani ky debat ka qenë jopublik por zyrtar. Burimet pohojnë se kërkesa nga ana e qeverisë shqiptare është bërë nëpërmjet Ambasadorit tonë pranë OSBE-së në Vjenë, Gilbert Galanxhi, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj organizate ndërkombëtare disa muaj më parë. Kërkesa ka qenë për kufizimin ose përqendrimin e mandati të OSBE-së në tre drejtime kryesore: Reformën Zgjedhore, mirëqeverisjen dhe Reformën në Drejtësi. Këto kanë qenë tre drejtimet që shteti shqiptar ka kërkuar nga OSBE që të përqendrojë aktivitetin e saj në Shqipëri. Ndërkohë që aktualisht, misioni i OSBE-së në Shqipëria është të asistojë në një sërë fushash, si: realizimi i adresave të sakta dhe modernizimi i Regjistrit Civil, reforma elektorale, parlamentarizmi, media, ligji dhe të drejtat e njeriut, mirëqeverisja dhe ekonomia, reforma në fushën e pronave, antitrafiku, policia, politika dhe punët publike. Gjithashtu të njëjtat burime sqarojnë se nuk ka qenë vetëm një rast ku është shprehur kjo kërkesë, pasi ka patur disa korrespondenca që janë shkëmbyer midis këtij organizimi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë gjatë tryezave të ndryshme, ku kjo e fundit ka dhënë dhe arsyet e saj për të cilat është detyruar të ndërmarrë këtë nismë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›