Shehu: Ekziston vullneti për bashkimin e PD-së me PDR-në
Politika shqiptare tenton t’i japë fund procesit të tejzgjatur të fragmentarizimit të saj të skajshëm dhe ka nisur hapat për realizimin e një terreni më të qëndrueshëm politik. Pas nismës së Partisë Socialiste për bashkimin përfundimtar me Partinë Socialdemokrate, një lëvizje e re e ngjashme duket se po konkretizohet edhe në spektrin e djathtë politik. Partia Demokratike dhe ajo Demokrate e Re, kanë nisur negociatat për një shkrirje të tyre në një forcë të vetme të qendrës së djathtë. Një gjë të tillë e pohuar dje nënkryetari i Partisë Demokrate të Re, Tritan Shehu, gjatë një prononcimi për mediat, ku ka theksuar se midis këtyre dy forcave ekziston vullneti i plotë për të realizuar një gjë të tillë. “Në këto periudha të qeverisjes së përbashkët padyshim vetë koalicioni me PD-në që nga periudha parazgjedhore gjithmonë e më tepër ka sjellë një afrim, një sinkronizim të programeve, formave organizative, bashkërendim të luftës politike, por edhe një afrim personal me PD-në dhe me drejtuesit e lartë të saj. Këtë e tregoi dhe emërimi i kryetarit tonë Genc Pollo në postin e Zëvendëskryeministrit, që për ne është një veprim politikisht i rëndësishëm. Unë besoj dhe jam i bindur se ky vullnet ekziston tashmë edhe nga PD dhe u takon atyre ta konfirmojnë këtë gjë. Janë të gjitha hapësirat për hapa të tjera më konkrete drejt një afrimi akoma më të madh midis nesh dhe PD-së, në një kohë kur realisht diferencat tona nuk ekzistojnë”,- u shpreh Tritan Shehu. Sipas tij, origjina e njëjtë por edhe angazhimi i të dyja forcave në një organizëm të përbashkët siç është forumi i partive popullore europiane, e bën edhe më të mundshëm një bashkim të tillë. “Në një kohë kur origjina jonë e përbashkët është e qartë, në një kohë kur të dyja partitë bëjnë pjesë në grupimin e partive popullore evropiane dhe kur qëllimet tona për të ardhmen janë të njëjta, ne jemi të hapur për të gjetur forma të reja bashkëpunimi gjithnjë e më të ngushta, pa përjashtuar asnjë nga këto forma, përfshi edhe një bashkim të plotë të forcave tona politike”, - tha Shehu.