Fushaj: “Kundër Napolit, Vllaznia bën surprizën e radhës”
“Është një gjë shumë e madhe për Vllazninë të ndeshet me një nga skuadrat më të njohura të Serisë A, Napolin”. Kështu u shpreh për “Albania”-n, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, menjëherë pas hedhjes së shortit të turit të dytë të Kupës UEFA. “Pak a shumë e prisnim një kundërshtar të fortë, por tani është vështirë të flitet për kualifikim, por bëhet fjalë vetëm për një prezantim dinjitoz të futbollit shkodran në Itali”.
Vllaznia “peshkoi” Napolin në tyrin e dytë eliminator të Kupës UEFA, një nga tre ekipet më të forta të Grupit të Jugut, duke futur në këtë llogari edhe spanjollët e Deportivo La Korunjës e turqit e Beshiktashit, teksa këta të fundit do të përballen me Shiroki Brijeg, skuadra boshnjake që eliminoi Partizanin në turin e parë eliminator. Ky ishte verdikti i shtortit të hëdhur në selinë qëndrore të UEFA-s në Nion të Zvicrës.
Vllaznia, që siguroi për herë të dytë rresht një kualifikim në turin e dytë, pas atij të vitit të kaluar në Kupën Intertoto kundër NK Zagreb, do të përballet për herë të parë me një skuadër italiane. “Pa dyshim që do të jetë një gëzim edhe për tifozët e Vllaznisë, pasi të luash kundër një skuadre italiane nuk është gjë e vogël. Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme për t’u paraqitur sa më mirë kundër Napolit. Gjithsesi, futbolli ka dhe të papritura’, - shton presidenti i klubit më të vjetër në Shqipëri. Ndeshja e parë do të zhvillohet “Loro Boriçi” (15.000 shikues), më 14 gusht, ndërsa ajo e kthimit në “Sao Paolo” (78.500 shikues) të Napolit dy javë më pas. Në statistikat e kundërshtarëve të Vllaznisë në 30 takimet e mëparshme skuadrat janë nga Turqia (2 ekipe), Izraeli (1), Skocia (1), Sllovenia (1), Kroacia (2), Islanda (1), Qipro (1), Greqia (1), Gjeorgjia (1), Malta (1), Finlandë (1), etj.
Mediat ndërkombëtare e cilësuan si një short të lehtë të Napolit kundër fitueses së Kupës së Shqipërisë, Vllaznisë së Shkodrës, për më tepër që ish-skuadra e Diego Armando Maradonës, është e vetmja nga 54 skuadrat e përfshira në turin e dytë, që ka fituar më parë Kupën UEFA në sezonin 1988-1989.
Vllaznisë në ndeshjen kundër Napolit do t’i mungojë sulmuesi Xhevair Sukaj, autori i dy golave në ndeshjen e parë kundër Koperit, që solli edhe kualifikimin për herë të pestë të shkodranëve në turin e dytë të një kompeticioni ndërkombëtar. “Jo vetëm Sukaj, por nga Vllaznia gjatë kësaj kohe mund të largohen edhe dy lojtarë të tjerë”, - shtoi presidenti i 9-herë kampionëve të Shqipërisë, duke lënë kështu të hapur mundësinë e largimit të Admir Telit dhe Gilman Likës.
Ndryshe nga Vllaznia e Agim Canaj, që mbërriti në turin e dytë të Kupës UEFa pas kualifikimit me meritë kundër sllovenëve të Koperit (2-1, 0-0), Napoli i Edi Rejës mbërriti në këtë tur si një ndër 11 fituesit e Kupës Intertoto të këtij viti. Në turin e tretë eliminator të Kupës Intertoto, Napoli eliminoi skuadrën greke Panionos me dy fitore më të njëjtin rezultat: 1-0. Boljaçino shënoi në Greqi, Hamshik në ndeshjen e kthimit në Napoli.
Ndryshe nga Vllaznia, që në historinë e saj ndërkombëtare ka luajtur vetëm 30 ndeshje në të gjitha kompeticionet (8 nga këtë në Kupën UEFA), Napoli vetëm në Kupën UEFA ka zhvilluar 52 nga 77 takimet ndërkombëtare të klubeve. Bilanci i Napolit në Kupën UEFA është i ekuilibruar: 19 fitore, 17 barazime, 16 humbje.
“Sport Five”, 1 milionë euro për të drejtat televizive
Prej shumë vitesh një skuadër shqiptare nuk ndeshjen në arenën ndërkombëtare me një ekip nga vend me futboll të nivelit të lartë. Napoli është një mundësi e mirë për të përfituar edhe financiarisht nga shitja e të drejtës televizive. Burime të sigurta nga kampi shkodran, pohuan se kompania “Sport Five”, që ka menaxhuar edhe të drejtat televizive të Kombëtares sonë në eliminatoret e Euro 2008 nisi formalisht kontaktet me Vllazninë për prodhimin e shtijen e sinjalit televiziv rrjete televizive italiane. Sipas zyrtarit të lartë të Vllaznisë, “Sport Five” mund t’i ofrojë kuqebluve një shumë të përafërt me 1 milionë euro. Napoli është një nga skuadrat më të dashura të Italisë së Jugut, por kompania “Sport Five”, synon të përfitojë edhe nga prania e madhe e emigrantëve shqiptarë në vendin fqinjë.
VLLAZNIA
Ndeshjet ndërkombëtare
2008-2009, Kupa UEFA
Turi I: Koper-Vllaznia 1-2 0-0
Turi II: Vllaznia-Napoli 14.8 28.8
2007-2008, Kupa Intertoto
Turi I: NK Zagreb-Vllaznia 2-1, 0-1
Turi II: Trabzonspor-Vllaznia 6-0, 4-0
2004-2005, Kupa Intertoto
Turi I: Vllaznia-Hapoel Beer-Sheva 0-1, 3-0
Turi II: Slaven Belupo-Vllaznia 2-0, 0-1
2003-2004, Kupa UEFA
Turi I: Vllaznia-Dandi 0-2, 0-4
2001-2002, Liga e Kampioneve
Turi I: Rejkavik-Vllaznia 2-1, 0-1
Turi II: Gallatasaraj-Vllaznia 2-0, 4-1
2000-2001, Kupa Intertoto
Turi I: Nea Salamina-Vllaznia 4-1, 2-1
1999-2000, Kupa UEFA
Turi I: Vllaznia-Spartak Trnava 1-1, 0-2
1998-1999, Liga e Kampioneve
Turi I: Dinamo Tbilis-Vllaznia 3-0, 1-3
1991-1992, Kupa e Kupave
Turi I: Vllaznia-AEK Athinë 0-1, 0-2
1987-1988, Kupa e Kupave
Turi I: Vllaznia-Sliema Uonderes 2-0, 4-0
Turi II: Vllanzia-Rops Rovaniemi 0-1, 0-1
1978-1979, Liga e Kampioneve
Turi I: Vllaznia-Austria Vjenë 2-0, 1-4
Bilanci: 30 ndeshje; 9 fitore, 2 barazime, 19 humbje. Golat: 27-53.
Sipas Kupave N F H H GOLAT
Liga e Kampioneve: 8 3 0 5 9:16
Kupa e Kupave: 4 2 0 2 6:2
Kupa UEFA: 8 1 2 5 3:13
Kupa Intertoto: 10 3 0 7 9:22
Total : 30 9 2 19 27:53
Kupa UEFA, turi i dytë
Shiroki Brijeg (Bosnjë-Herc.)-Beshiktash (Turqi)
SC Braga (Portugali)- NK Zrinjski (Bosnjë-Herc.)
Lokomotiva Sofje (Bullgari)-Borac (Serbi)
Vojvodina (Serbi)-Hapoel Tel-Aviv (Izrael)
Aris Selanik (Greqi)-Slaven Koprivnica (Kroaci)
Liteks (Bullgari)-Hapoel Ironi Kirjat (Izrael)
Deportivo La Korunja (Spanjë)-Hajduk Split (Kroaci)
Apoel (Qipro)-Cervena Zvezda (Serbi)
VLLAZNIA (SHQIPËRI)-NAPOLI (ITALI)
Makabi Netania (Israel)-Cherno More (Bullgari)
Omonia (Qipro)-AEK (Greqi)
Metalurg (Letoni)-Vaslui (Rumani)
Zurih (Zvicër)-Shturm Grac (Austri)
Shtutgart (Gjermani)-Giori (Hungari)
Leh Poznan (Poloni)-Grasshopers (Zvicër)
Slovan Liberec (Çeki)-Zhilina (Sllovaki)
Gjeorgjia (Gjeorgji)-Austria Vjenë (Austri)
Jang Bojs (Zvicër)-Debreceni (Hungari)
Legia Varshavë (Poloni)-Moskë (Rusi)
Dnipro Dniprotrovsk (Ukrainë)-Belizona (Zvicër)
Ljubjana (Slloveni)-Herta e Berlinit (Gjermani)
Sudova (Lituani)-Salzburg (Austri)
Djugardens (Suedi)-Rozenborg (Norvegji)
Kuin (Skoci)-Nordsjeland (Danimarkë)
Gent (Belgjikë)-Kalmar (Suedi)
Mançester Siti (Angli)-Midtjyland (Danimarkë)
Honka Espo (Finlandë)-Viking (Norvegji)
Haka (Finlandë)-Brondbi (Danimarkë)
Stabek (Norvegji)-Stade Rëne (Francë)
Kobenhaven (Danimarkë)-Lilestrom (Norvegji)
Elfsborg (Suedi)-St.Patrik (Irlandë)
Aston Vila (Angli)-Hafnarfjordur (Islandë)
Duro
Qipriotët e Omonias, ku aktivizohet edhe mesufushori i Kombëtares shqitpare, Klodian Duro, do të përballet në turin e dytë të Kupës UEFA me AEK-n e Athinës. Takimi i parë luhet në Qipro.
Vangjeli
Ekipi grek Aris i Selanikut, ku aktivizohet mbrojtësi i Kombëtares sonë Kristi Vangjeli do të përballet në turin e dytë të Kupës UEFA me kroaten Slaven Koprivnica.
Shiroki
Shiroki Brijeg, ekipi boshnjak që eliminoi Partizanin tonë në turin e parë (0-0, 3-1) do të përballet në turin e dytë të Kupës UEFA me skuadrën e njohur turke Beshiktash.
LIGA E KAMPIONEVE
Cana
Në turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, Olimpiku i Marsejës i kapitenit shqitpar Lorik Cana do të pëballet me fituesen e çifit Bran-Ventspils.
Beqaj
Anorthosis Famagusta, skuadra qipriote e Arjan Beqajt, në rast se do të eliminojë në turin e dytë Rapidin e Vjenës do të përballet në turin e tretë të Ligës së Kampioneve me Olimpiakosin.
Shqipëri-Itali, dy përballje klubesh
Vllaznia nuk ka fatin të jetë skuadra e parë shqiptare për t’u përballur me një kundërshtar nga Italia, një nga kampionatet më të forta në botë. Shansin për të ballafaquar për ta bërë “sefte” me një skuadër nga vendi i anës tjetër të Adriatikut e ka pasur Partizani. Skuadra e drejtuar nga u përball me Torinon në sezonin 1968-1969 të Kupës së Fituesve të Kupës (Kupa e Kupave u shkri më pas me Kupën UEFA). Dy skuadrat u takuan në fazën e 1/16. Partizani fitoi 1-0 në “Qemal Stafa” (18 shtator 1968) falë golit të Pëllumb Shaqirit (47’), ndërsa në atë të kthimit në Torino, më 2 tetor, skuadra jonë humbi 3-1, teksa golin e vetëm për Partizanin e realizoi Neptun Bajko (85’).
Kundër një ekipi italian ka luajtur edhe Teuta e Durrësit. Parma, ku militonte legjenda bullgare Hristo Stojçkov, por ku shënoi edhe golin e tij të parë ndërkombëtar i riu Filipo Inzagi, ishte kundërshtari i durrsakëve në dy takimet e humbura me të njëjtin 2-0 në fazën e 1/16 të Kupës së Fituesve të Kupave në sezonin 1995-1996.
Kush është Napoli, kundërshtari i Vllaznisë
Skuadra italiane e Napolit është themeluar në vitin 1904, ndërkohë që Vllaznia jonë është themeluar 15 vjet më pas, në vitin 1919. Napoli është një ndër skuadrat më të njohura italiane, pavarësisht se e ka fituar vetëm dy herë titullin kampion të Serisë A (1986-1987, 1989-1990) dhe ka dalë katër herë nënkampion i Italisë. Napoli e ka fituar tri herë Kupën e Italisë dhe ka humbur edhe katër finale të kësaj kupe. Historikisht Napoli konsiderohet si klubi i nëntë më i suksesshëm në Itali, por vlerësohet si më i suksesshmi në Italinë e Jugut. Që nga viti i themelimit (1904) e deri më sot ka ndërruar pesë herë emrin zyrtar të klubit, për herë të fundit në vitin 2006.
Futbollisti më i famshëm që ka luajtur për Napolin është legjenda argjentinase Diego Armando Maradona, që vendosi edhe një rekord botëror për atë kohë për shumën e transferimit të tij nga Barcelona te Napoli për 12 milionë lira në vitin 1984. Gjatë viteve të Maradonës (1984-1991) Napoli fitoi edhe dy titujt e vetëm kampionë në historinë e tij. Aktualisht bluza me numër 10, e mbajtur nga Maradona është hequr nga qarkullimi. Me Napolin kanë luajtur emra të mëdhenj të futbollit italian si Çiro Ferara, Salvatore Banji, Fernando De Napoli, Xhanfranko Zola, Daniel Fonseka dhe Kareka. Në kampionatin e fundit të Serisë A, Napoli i drejtuar nga tekniku Eduardo Reja u rendit në vendin e tetë, duke siguruar një vend për në turin e tretë të Kupës Intertoto, nga arriti të sigurojë më pas dhe në vend në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA kundër Vllaznisë. Në skuadrën aktuale të Napolit ka tetë lojtarë të huaj, katër prej tyre uruguajanë, dy lojtarë argjentinas, një brazilian e një sllovak. Kapiteni i Napolit është Paolo Kanavaro, vëllai i Fabio Kanavaros, kampionit të botës dhe mbrojtësit aktual të Realit të Madridit. Ndryshe nga Vllaznia, që luan me fanella kuqeblu, Napoli luan me fanellë në ngjyrë blu.
Historia
Riza Lushta, shqiptari i Napolit
Napoli ka tentur disa herë të rekrutojë njërin nga dy sulmuesit shqiptarë Igli Tare apo Erion Bogdanin, pa mundur dot t’i bëjë të vetit, edhe pse në dukje tratativat dukeshin më shumë të kishin sfond mediatik. Megjithatë, një shqiptar ka luajtur për ngjyrat “azzure” të Napolit, edhe pse bëhet fjalë për një histori më shumë se 60 vjet më parë. Kosovari Riza Lushta, i lindur në Mitrovicë, u aktivizua me Rudarin në, por në Itali shkoi pasi më parë kishte luajtur me Tiranën – fitoi 4 tituj kampionë 1934, 1936, 1937 and 1939 dhe të parë Kupë të Shqipërisë, 1939, - është i vetmi shqiptar që ka luajtur me kundërshtarin e Vllaznisë në turin e dytë të Kupës UEFA. Lushta, ka luajtur si sulmues me Napolin në vitet 1945-1947, teksa është aktivizuar në 27 ndeshje, duke shënuar 6 gola. Në Itali, Lushta ka luajtur edhe me Juventusin, Barin, Alesandrinë, Forlin e Rapalon, ndërsa në Francë me Kanën. Në Serinë A, Lushta ka laujurt në total 170 ndeshje, duke shënuar 68 gola. Lushta, i lindur në vitin 1916, vdiq në moshën 81-vjeçare, në vitin 1997.
2 Gusht 2008