INSTAT: Tirana e Durrësi kryesojnë në Tregti, Transport dhe Hotele
Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e prodhimit të brendshëm bruto sipas prefekturave dhe zona më e zhvilluar bujqësore rezulton Fieri. Pesha në degën e bujqësisë, gjuetisë dhe peshkimit është 37 % në prefekturën e Fierit. Ndërsa qytetet kryesore si, Fieri dhe Durrësi, janë më shumë të përqendruara në aktivitetin e tregtisë, hotelerisë, transportit dhe komunikacionit. Në vitin 2011, dega e bujqësisë dhe peshkimit në gjenerimin e vlerës së shtuar bruto gjithsej ishte 19.5% ndaj totalit të ekonomisë ose 0.2 % më e lartë se në vitin 2010. Sipas prefekturave, pesha në degën e bujqësisë, gjuetisë dhe peshkimit varion nga 5 % në Tiranë në 37 % në prefekturën e Fierit. Shumica e prefekturave me pjesën e bujqësisë, gjuetisë dhe peshkimit në gjenerimin e vlerës së shtuar bruto është mbi mesataren kombëtare. Dega e industrisë ishte 12% e vlerës së shtuar bruto gjithsej ose 0.3% më e lartë se në vitin 2010. Sipas prefekturave, pesha në degën e industrisë varion nga 3 % në Kukës në 21 % në prefekturën e Fier. Prefekturat me pjesën e industrisë në gjenerimin e vlerës së shtuar bruto mbi mesataren e vendit janë kryesisht Fieri, Elbasani, Korça dhe Durrësi. Dega e ndërtimit ishte 10.7% e vlerës së shtuar bruto ose 0,3% me e ulët se në vitin 2010. Sipas prefekturave, pesha në degën e ndërtimit varioi nga 4 % në Dibër në 17 % në prefekturën e Tiranës. Dega e tregtisë, hotelerisë, transportit dhe komunikacionit ishte 31,1% e vlerës së shtuar bruto kombëtare ose 0,6% më e lartë se në vitin 2010. Sipas prefekturave, pesha në këtë degë varion nga 16 % në Gjirokastër në 42% në prefekturën e Tiranës. Prefekturat me pjesën e tregtisë, hotelerisë, transportit dhe komunikacionit në gjenerimin e vlerës së shtuar bruto mbi mesataren e vendit janë Durrësi dhe Tirana. Dega e ndërmjetësimit financiar; Pasurive të Patundshme; etj, ishte 13.9% e vlerës së shtuar bruto gjithsej ose 0.2% me e ulët se në vitin 2010. Sipas prefekturave, pesha në këtë degë varioi nga 10 % në Elbasan në 29% në prefekturën e Gjirokastrës. Në disa prefektura (Gjirokastër, Shkodër, Lezhë, Kukës dhe Dibër) pjesa e këtij aktiviteti në gjenerimin e vlerës së shtuar bruto është mbi mesataren kombëtare. Dega e shërbimeve të tjera duke përfshirë administratën publike dhe të mbrojtjes etj, ishte 12.8% e vlerës së shtuar bruto gjithsej ose 0,6% më e ulët në krahasim me vitin 2010. Sipas prefekturave, pesha në këtë degë varion nga 8% në Fier në 16 % në prefekturën e Tiranës. Shumica e prefekturave në këtë degë janë përafërsisht në të njëjtin nivel me mesataren kombëtare.