E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: Ulet punësimi te biznesi i vogël, 3% më pak se në vitin 2009



Tremujori i parë i këtij viti ka rezultuar negativ, sa i përket punësimit në tregtinë me pakicë, kjo krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, indeksi i punësimit në "Tregtinë me pakicë" në periudhën janar-mars 2010 arriti 167.8 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky indeks është ulur 2.9 për qind. Ndërkohë që sa i përket volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë për të njëjtën periudhë të 2010-ës, ai arriti 164.8 për qind. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2009-ës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 5.7 për qind, por është ulur me 7.8 për qind, nëse e krahasojmë me tremujorin paraardhës. Ulje ka pësuar edhe grupi "Artikuj të përzier kryesisht jo ushqimorë në njësi tregtare jo të specializuara", volumi i të cilit është ulur 16.7 për qind në këtë tremujor, kjo nëse e krahasojmë me tremujorin e fundit të vitit paraardhës. Raporti i INSTAT për tremujorin e parë të 2010-ës sa i përket grupit "Tregtia dhe riparimi i automjeteve" del në përfundimin se volumi i shitjeve është rritur 25.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës dhe të njëjtin trend ka mbajtur edhe në tremujorin e funtit të 2009-ës, duke shënuar një rritje 12.2 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›