Verifikimi i tapive, pronat që po hetohen në zonat bregdetare
Bisedoi Erald Kapri
Në një intervistë për gazetën "Panorama", Drejtoresha e Sekretariatit Teknik të Komisionit Qeveritar të Tokës, Majlinda Bozgo, flet mbi procesin e verifikimit të titujve të pronësisë të ndarë, sipas ligjit 7501, për tokën bujqësore. Bozgo shprehet për hapat e ndërmarra deri në këto, vendimet e pavlefshmërisë, si dhe punën e 12 komisioneve të shpërndara në të gjithë prefekturat. Deri tani janë marrë mbi 1050 vendime, nga të cilat 400 vendime gjykatat i kanë vlerësuar duke dhënë pavlefshmëri të plotë ose të pjesshëm. Rreth 266 hektarë tokë shteti ka marrë në pronësi, të cilat më përpara zotëroheshin padrejtësisht. Bozgo flet edhe për verifikimet në zonat bregdetare, atje ku mendohet se abuzimi është më i madh, nga ku komisionet e kanë prioritet në verifikimet e tyre. Komisionet po verifikojnë nga Velipoja, në Durrës, Kavajë, komunat e Sarandës etj.
Zonja Bozgo, prej mese 1 viti ka nisur puna e Komisioneve për verifikimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore në 12 qarqe. Në ç'fazë të punës janë këto komisione?
Veprimtaria e verifikimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore ka filluar në zbatim të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", në fillim të vitit 2009. I gjithë ky proces drejtohet nga Komisioni Qeveritar i Tokës, i cili kryesohet nga Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit, zoti Pollo. Komisioni Qeveritar i Tokës përbëhet nga disa ministra, ku veprimtaria e ministrive përkatëse lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore. Pranë këtij Komisioni, në ndihmë të veprimtarisë së tij, funksionon Sekretariati Teknik, i cili mbikëqyr të gjithë veprimtarinë e Komisioneve Vendore, në zbatim të ligjit dhe të vendimeve që merr KQT-ja. Por veprimtarinë direkt të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore e ushtrojnë Komisionet Vendore të Verifikimit të Titujve të pronësisë, të cilat janë ngritur pranë çdo Prefekture. Komisionet Vendore të Verifikimit të Titujve të pronësisë funksionojnë si organe kolegjiale dhe mbledhjet e tyre thirren dhe drejtohen nga Prefekti i Qarkut. Gjatë kësaj periudhe, komisionet e kanë të përqendruar veprimtarinë e tyre në dy drejtime kryesore: shqyrtimi dhe verifikimi i ankesave, kërkesave, informacioneve, që i paraqiten nga shtetasit dhe strukturat shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore dhe kontrollet e drejtpërdrejta, të ushtruara me nismën e vet, mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës. Këto kontrolle kryhen të plota në sipërfaqen e tokave të ish-NB-ve dhe të zonës së zhvillimit me përparësi të turizmit, të përcaktuara sipas ligjit nr. 7665, datë 21.1.1993 "Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin", të ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
Cila ka qenë puna e deritanishme e këtyre komisioneve? çfarë vendimesh kanë marrë deri më sot?
Veprimtaria e Komisioneve është e përqendruar në shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, sipas procedurave administrative që thamë më lart. Gjatë hetimit administrativ të shqyrtimit të vlefshmërisë ligjore, bazuar në ligjin nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", dhe në aktet e tjera nënligjore, në zbatim të tij Komisionet Vendore mbledhin nga institucionet shtetërore dhe administrojnë një informacion shkresor të konsiderueshëm, i cili është baza mbi të cilën konstatohet vlefshmëria ligjore e krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi.
Në përfundim të procesit të hetimit administrativ, Komisioni Vendor merr vendimet përkatëse. Në varësi nga rezultatet e hetimit administrativ, Komisioni Vendor merr vendim mbi konstatimin e: Pavlefshmërisë ligjore të plotë të krijimit të AMTP; Pavlefshmërisë ligjore të pjesshme të krijimit të AMTP; Korrigjim të Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi; Rikonfirmim të vlefshmërisë ligjore të AMTP; Plotësim të Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi; apo të tjera. Gjatë kësaj periudhe janë marrë gjithsej rreth 1050 vendime të llojeve të ndryshme, nga të cilat rreth 400 vendime janë për pavlefshmëri të plotë ose të pjesshme të akteve të marrjes së tokës në pronësi. Të gjitha vendimet e Komisioneve Vendore që kanë për objekt konstatimin e pavlefshmërisë së krijimit të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi, detyrimisht me kërkesën e Prefektit paraqiten në Gjykatë, e cila është institucioni i vetëm që shpall pavlefshmërinë e krijimit të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi. Sipërfaqja e trajtuar deri tani me vendime ka arritur rreth 266 hektarë. Destinacioni i kësaj sipërfaqeje, sipas ligjit është: në administrim të Komunës ose Bashkisë, në juridiksionin e të cilës ndodhet toka bujqësore; Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për fondin fizik të kompensimit, kur toka bujqësore e liruar rezulton me prejardhje nga ish-Ndërmarrjet Bujqësore. Në gjykatë, bashkëlidhur me kërkesën e Prefektit, paraqitet edhe kërkesa për: kalimin e kësaj sipërfaqe në pronësinë të shtetit për rastet kur pronësia është në emër të përfituesit sipas ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 "Për tokën", ose për pagesën e vlerës së tokës, në rast se e drejta e pronësisë është tjetërsuar apo sipërfaqja e tokës bujqësore është shpronësuar për interes publik. Krahas procesit të vendimmarrjes, Komisionet Vendore, në mënyrë të veçantë gjatë vitit 2010, e kanë përqendruar veprimtarinë e tyre në ndjekjen e proceseve gjyqësore.
Po aktualisht, ku është përqendruar puna e Komisioneve për verifikimin e titujve të pronësisë. Në cilat territore në zonën turistike po kryen kontrolle?
Të gjitha Komisionet Vendore, të cilat kanë në juridiksionin e tyre territorial zona të zhvillimit me përparësi të turizmit, të përcaktuara sipas ligjit nr. 7665, datë 21.1.1993 "Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin", të ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, kanë planifikuar dhe po ushtrojnë kontrollin në këto zona. Një ndihmë të konsiderueshme për këtë proces kanë dhënë specialistët e Sekretariatit Teknik, për shkak të përgatitjes së tyre të veçantë profesionale, të cilët kanë kryer studimin teknik kontrolluese të zonave, që kanë përparësi turizmin. Në këtë proces do të përmend: Komisionin Vendor Tiranë, i cili ka konstatuar rreth 80 vendime për pavlefshmëri ligjore të krijimit të AMTP në Komunat bregdetare të Kavajës; Komisionin Vendor Durrës, i cili ka konstatuar 25 vendime për pavlefshmëri ligjore të krijimit të AMTP në Komunat bregdetare të Gjirit të Lalëzit; Komisionin Vendor Vlorë, i cili ka konstatuar 120 vendime për pavlefshmëri ligjore të krijimit të AMTP në Komunat bregdetare të Sarandës e Vlorës; Komisionin Vendor Shkodër, i cili ka konstatuar 60 vendime për pavlefshmëri ligjore të krijimit të AMTP në bregdetin e Velipojës. Por nuk mund të le pa përmendur Komisionin Vendor Fier, Berat, Lezhë, Korçë e Dibër, të cilat po kontrollojnë territoret e ish-Ndërmarrjeve Bujqësore.
Sipas ligjit ka një afat 3-vjeçar për kryerjen e të gjithë veprimtarisë së verifikimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Mendoni se ky afat do të mjaftojë?
Rezultatet e punës së deritanishme, sipas raportimeve të Komisioneve Vendore, tregojnë që ata po punojnë për realizimin e detyrës ligjore. Por edhe gjatë kryerjes së këtij procesi ndeshemi me vështirësi të ndryshme. Mund të përmendim që institucionet që në vite kanë lëshuar dokumentacionin e pronësisë për tokën bujqësore, nuk kanë bërë kujdesin e duhur për ta ruajtur atë. Edhe vetë qytetarët përfitues nga ligji nr.7501, datë 19.7.1991 "Për tokën", gjithashtu nuk e kanë ruajtur atë. Një problem tjetër është mospërgjigjia në kohë e sistemit gjyqësor, i cili duhet ta shqyrtojë kërkesën e Prefektit brenda 60 ditëve. Bazuar në nenin 18 të ligjin nr.9948, datë 7.7.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore". "Verifikimi i titujve të pronësisë, sipas dispozitave të këtij ligji, të përfundojë brenda 3 vjetëve nga data e hyrjes së tij në fuqi".