E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Do mbyllen klinikat që nuk ofrojnë shërbimin e duhur



Ngritja Task Forces që do të kalojë në sitë të gjitha klinikat që ofrojnë shërbim shëndetësor në vend është raportuar dje nga Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili në Komision. Gjatë fjalës së tij, ministri theksoi se ndaj subjekteve që hasen shkelje dhe mosrespektim i standardeve do të merren masa deri në mbylljen e veprimtarisë. "Kontrollet janë ndërmarrë për t'u dhënë garanci qytetarëve që kudo që ata marrin shërbim shëndetësor, qoftë i administruar nga shteti apo privatët, standardet e shërbimit janë të garantuara dhe të verifikuara", tha Vasili. Sipas tij, puna e organizuar në terren përmes grupeve të kontrollit synon të identifikojë ato subjekte, që nuk ofrojnë shërbimin sipas standardeve të kërkuara. "Pesë janë shtyllat mbi të cilat fokusohet ky kontroll, zbatimi i ligjshmërisë, përputhshmëria ndërmjet licencimit të aktivitetit bazuar në vetëdeklarim dhe ushtrimit të aktivitetit privat, personeli që ushtron veprimtarinë, praktikat mjekësore të ofruara si dhe regjistrat dhe raportimet pranë institucioneve qendrore", informoi kreu i Shëndetësisë. Kontrollet e grupeve të punës sipas ministrit Vasili dje në raportimin pranë Komisionit Parlamentar të Punës, çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë janë shtrirë në një sërë kategorish subjektesh. Ndarja e grupeve fillon me spitalet private, klinikat e karakterit diagnostik, shërbimi stomatologjik si dhe laboratorët dhe shërbimi farmaceutik. "Mënyra e re e licencimit të aktiviteteve private në vend, përfshi edhe ato të sektorit të shëndetësisë, duke liberalizuar procedurat e përshpejtuar ato, kërkon forcimin e mekanizmave të kontrollit sistematik të veprimtarisë dhe cilësisë në shërbimin privat", konkludoi ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›