E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria shpenzon më shumë se rajoni për ushqim



Të ardhurat e shqiptarëve shkojnë vetëm për t'u ushqyer. Ky është konkluzioni që del nëse i hedh një sy raportit të fundit të Eurostat lidhur me Indeksin e çmimeve të Konsumit për vitin 2009 për gjithë Europën. Instituti i Statistikave i Bashkimit Europian rendit vendin tonë si një vend që ka çmime relativisht të kripura. Kështu, për të blerë produktet kryesore të konsumit si buka, djathi, veza mishi një shqiptari i duhet të paguajë me një mesatare të thjeshtë sa 72 për qind e një europiani. është e vërtetë që çmimet nuk janë më të shtrenjta, por balanca prishet nëse u referohemi të ardhurave. Në këtë pikë Shqipëria lë për të dëshiruar. Një javë më parë Eurostat publikoi raportin që lidhej me GDP-në për frymë sipas standardit të fuqisë blerëse, ku vendi ynë ishte i pozicionuar i fundit me një nivel 27 për qind nga 100 për qind i mesatares europiane. Raportet e fundit të Eurostat shpalosin faktin që shqiptarët janë më të varfrit në Europë, por jetesa e tyre është po aq e shtrenjtë sa pjesa më e madhe e Europës, çka e thellon më shumë varfërinë. Me një nivel të tillë të ardhurash dhe çmimesh shqiptarët janë të predispozuar që të shpenzojnë vetëm për gjërat elementare siç është ushqimi, ndërsa të ashtuquajtura shpenzime luksi janë pothuajse të papërballueshme. Kështu, Maqedonia ka një nivel çmimesh konsumi sa 52 për qind e BE 27-ës, Polonia 64 për qind, Rumania 66 për qind Serbia 70 për qind. Por ka dhe vende të tjera të rajonit ku çmimet janë më të shtrenjta se në Shqipëri, ku mes të tjerash Mali i Zi 79 për qind, Bosnjë-Hercegovina 77 për qind, Kroacia 94 për qind. Por ajo që në këtë rast bën diferencën është fakti i të ardhurave që kanë qytetarët e këtyre vendeve dhe nëse i hedhim një sy rrogës mesatare të qytetarëve europianë sipas Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike shifrat do të na bëjnë pesimistë. Gjatë 2009-ës Shqipëria renditet me një rrogë mesatare 242 euro, ndërkohë që Mali i Zi ka një rrogë mesatare 643 euro dhe Maqedonia 488 euro. Ecja në përpjesëtim të zhdrejtë e të ardhurave me çmimet krijon hendekun që shqiptarët me të ardhurat e tyre të përballojnë vetëm ushqimin dhe energjinë.

Eurostat & Instituti i Vjenës

Vendet Shpenzimet Të ardhurat Paga
për ushqim për frymë mesatare

BE-27 100 % 100%
Maqedonia 52% 35% 488 euro
Polonia 64% 61% 717 euro
Rumania 66% 45% 445 euro
Bullgaria 68% 41% 303 euro
Shqipëria 72% 27% 242 euro
Serbia 70% 37% 470 euro
Bosnja-H 77% 30% 615 euro
Mali i Zi 79% 43% 643 euro
Kroacia 94% 64% 1051 euro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›