E Diel, 1 Nëntor 2026

Maxhoranca miraton pa opozitën ligjin për faljet, tre deputetë të PD-së votojnë kundër



Erald Kapri

Komisioni i Ligjeve miraton pa votat e opozitës projektligjin "për faljet", i cili vendos kritere për Presidentin e Republikës për faljen e të dënuarve në burgje. Ndonëse projektligji u vendos që të miratohet me konsensus, deputetët e maxhorancës miratuan të vetëm projektligjin, por me debate të ashpra në komision, ku nuk munguan akuzat për Presidentët që kanë bërë falje të dënuarish, apo edhe rrjedhje votash nga maxhoranca. Tashmë do të jetë Ministri i Drejtësisë, autoriteti i vetëm që do të mund të administrojë kërkesat e të dënuarve për falje, para se të shkojnë te kreu i shtetit, gjë për të cilën opozita kundërshtoi ashpër, pasi e cilësoi si dhunim të kompetencës kushtetuese të Presidentit. Por nga ana tjetër, deputeti i PS-së Saimir Tahiri hodhi akuza mbi mënyrën se si janë falur të dënuarit deri tani dhe kërkoi që të përcaktohet një mekanizëm i qartë që, sipas tij, duhet të ndalë korrupsionin politik e financiar kur bëhen faljet te Presidenti i Republikës. "Për disa persona duhet vënë kufi, në mënyrë që të bëjnë edhe politikë penale dhe të parashikojmë ato mekanizma që të ndalojmë korrupsion politik, e kam shumë merak këtë, në mekanizmin e faljes. Në rastin e kaluar është dekretuar falje për 360 e kusur personash. Pra Presidenti ka falur 1 person në ditë, gati. Nuk dënohet një person në ditë për vepra penale në Shqipëri. Presidenti ka falur 1 person në ditë, dhe në listë të dekretuar ka persona që kanë konsumuar vepra penale shumë të rënda", tha Tahiri. Po deputeti i PS-së u kundërshtua nga deputeti i PD-së Dashnor Sula, i cili tha se nuk mund të tolerohen këto akuza ndaj krerëve të shtetit. Ky debat u bë për nenin 5, ku sipas Ministrisë së Drejtësisë personat që kanë bërë vrasje me paramendim, trafikim femrash e fëmijësh, terrorizëm, pedofili dhe organizata kriminale nuk mund të kërkojnë falje. Deputetët e opozitës kërkuan shtimin e veprave penale që nuk duhen falur. Këto propozime të opozitës, gjetën mbështetjen edhe të 3 deputetë të maxhorancës, Enkelejd Alibeaj, Dashnor Sula e Viktor Gumi (relatori i projektligjit), të cilët votuan kundër neni 5 të ardhur nga Qeveria. Por në fund me 9 vota pro të deputetëve të PD-së dhe 7 vota kundër të deputetëve të opozitës bashkë me 3 deputetët e PD-së, komisioni miratoi variantin e Qeverisë. Deputetët e të dyja palëve debatuan ashpër për 2 nenet kryesore të projektligjit, nenin 5 dhe nenin 10. Neni 5 përcakton kriteret ndaluese, pra vepra penale të cilat kreu i shtetit mund t'i falë. Neni 10 ka të bëjë me administrimin e kërkesave që duhet t'i bëjë Ministri i Drejtësisë, por që sipas opozitës kjo shkel kompetencat e kreut të shtetit. "Ju kërkoni të transferoni kompetencën e Presidentit për faljet, për ta kthyer në kompetencë politike të Ministrit të Drejtësisë. Kjo është antikushtetuese", tha deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, por që gjeti kundërshtimin e ashpër të disa deputetëve të PD-së. "Stafi bën gati dokumentacionin dhe ministri nënshkruan aktin final ndërsa ju kërkoni ta bëni ministrin nëpunës", tha kreu i komisionit, Rusmali. Në fund, projektligji u miratua vetëm me votat pro të të gjithë deputetëve të PD-së pa përjashtim, ndërsa opozita dha votën kundër.

Amendamenti, s'ka falje në fushatë
Komisioni i Ligjeve miratoi dje një amendament të deputetëve të opozitës, sipas të cilit, Kreu i Shtetit nuk mund të japë falje për të dënuarit në kohë fushate elektorale. Kështu 3 muaj para zgjedhjeve, por edhe 3 muaj pas zgjedhjeve, Presidenti nuk mund të firmosë asnjë amnisti. Nga ana tjetër, nuk u pranua amendamenti i deputeti Viktor Gumi, i cili propozoi që falja mund të bëhet nga kreu i shtetit vetëm në data të caktuara, si festa kombëtare apo fundi i viti. Me bërjen e një kërkese nga të dënuarit, dhe me shqyrtimin e saj nga Ministri i Drejtësisë, Topi mund të falë të dënuar në çdo kohë.

Kritere ndaluese për faljen e dënimit
Falja e dënimit nuk jepet në rastet kur i burgosuri ka kryer vepër penale me egërsi dhe mizori apo kundër fëmijëve, grave shtatzëna a personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen. Për veprën penale të gjenocidit, krime lufte ose krime kundër njerëzimit. Por edhe personat që kanë bërë vrasje me paramendim, trafikim femrash e fëmijësh, terrorizëm, pedofili dhe organizata kriminale nuk mund të kërkojnë falje. Të dënuarit nuk mund të kërkojnë falje pa bërë minimalisht një të tretën e dënimit.

Debati në Komision

Saimir Tahiri: Për disa persona duhet vënë kufi, në mënyrë që të bëjnë edhe politikë penale dhe të parashikojmë ato mekanizma që të ndalojmë korrupsion politik, e kam shumë merak këtë, në mekanizmin e faljes. Në rastin e kaluar është dekretuar falje për 360 e kusur personash. Pra Presidenti ka falur 1 person në ditë, gati. Nuk dënohet një person në ditë për vepra penale në Shqipëri. Presidenti ka falur 1 person në ditë, dhe në listë e dekretuar ka persona që kanë konsumuar vepra penale shumë të rënda. Në këtë rast duhet të përcaktojmë një filtër ligjor. Duhet t'i vemë kufi pazarit politik apo financiar që mund të bëhet me dekretim e faljes. Në rast se keni parashikuar disa vepra penale, nuk gjej arsye përse të mos ketë edhe të tjera.
Dashnor Sula: Dua të shpreh votën time kundër, nëse kërkohen pazare politike me këtë projektligj, ashtu siç po kërkohen, më vjen keq që po e them, por po tentohen të gjinden kompromise për një projektligj haptas jo kushtetues. Nëse do të pranojmë një pjesë të veprave penale dhe lëmë jashtë disa të tjera, nuk i kemi dhënë zgjidhje. Unë jam dakord tek neni 5, siç e ka paraqitur opozita, që të përfshihen vepra penale. Më vjen keq nga deklarata e Tahirit, që bën një deklaratë të ashpër ku thotë korrupsion politik e financiar për faljet në këto 20 vite, është një mungesë profesionalizmi politik pasi këto konkluzione kërkojnë prova të forta. Kjo është një akuzë ndaj shtetit të së drejtës, por duhet të kesh prova për të akuzuar presidentët në këto 20 vite se kanë bërë falje duke përfituar shuma financiare, nuk e di por kjo është...nuk e di ç'emër ti vë.
Saimir Tahiri (pa mikrofon): Nuk bëra akuzë, por thashë që duhet ta parandalojmë.
Dashnor Sula: Nëse ka qoftë edhe një provë të vetme, çdo President duhet të vihet para ligjit. Por këtë projektligj nuk duhet ta bëjmë objekt pazaresh.
Pandeli Majko: Nuk po kuptoj zëvendësimin e dënimit. Do të thotë që Presidenti merr përsipër të gjykojë, të caktojë, një dënim më të ulët seç e ka parashikuar Gjykata? Pra Presidenti mund të marrë atributin e Gjykatës?
Marsida Xhafenllari (Ministrja e Drejtësisë): Në përcaktimin e llojit të faljet, i referohemi Kodit Penal, Presidenti parashikon tërësisht ose pjesërisht ose bën zëvendësimin e një dënimi me një tjetër më të butë. Këtë e parashikon Kodi.
Saimir Tahiri: Kuptohet vullneti juaj për ta transferuar kompetencën e Presidentit të Republikës.
Ilir Rusmali: Të lutem mbajuni rendit të ditës dhe flisni për nenin nr 10.
Saimir Tahiri: Ju nuk mund të diktoni mendimin tim këtu.
Ilir Rusmali: Unë jam këtu dhe kjo është detyra e kryetarit. Argumenti duhet të ketë lidhje me amendamentin. Kjo është rregullorja.
Saimir Tahiri: Po flas për nenin 10 dhe po them që ju kërkoni të transferoni kompetencën e Presidentit për faljet, për ta kthyer në kompetencë politike të Ministrit të Drejtësisë. Kjo është antikushtetuese.
Genti Strazimiri (pa mikrofon): çar është kjo që bëhet. Fol për amendamentin. Zbato rregulloren. Kemi edhe punë të tjera ne.
Saimir Tahiri: Ju në këtë mënyrë bëni që Ministria i Drejtësisë qenka dhe posta e Presidentit të Republikës, qenka dhe mendja e Presidentit të Republikës, qenka dhe stilolapsi për të hedhur firmën e Presidentit të Republikës. Kjo është e patolerueshme, është antikushtetuese. Në rast se doni ta miratoni këtë ligj me dhunën e kartonëve, dhe ta shtoni katalogun e ligjeve antikushtetuese, bëjeni. Po na diktoni që ne të votojmë kundër.
Ilir Rusmali: Kërkesa ka një praktikë. Stafi bën gati dokumentacionin dhe ministri nënshkruan aktin final, ndërsa ju kërkoni ta bëni ministrin nëpunës. Ju e dini që eventualisht po të shkojë çështja në Gjykatën Kushtetuese do mblidhni gjykatën në dhomë këshillimi dhe do të kumtoni vendimin e tyre. As njëra dhe as tjetra nuk mund të jenë të vërteta në një shtet ligjor. Dhe sa kohë që nuk janë të vërteta, as njëra dhe as tjetra, deklarimi juaj që ligji është antikushtetues është nonsens.
Pandeli Majko: Në bëmë një diskutim të gjatë dhe ju insistuat që ministri është koordinuesi që bën gjithë rakordimin e punës. Ne po kërkojmë që të eliminohet përgjegjësia e ministrit. Po bini në kontradiktë në atë që keni mbrojtur deri tani.
Damian Gjiknuri: Këtu kemi një problem se ministri do të shohë kriteret ligjore dhe duhet të thotë nëse i plotëson kriteret, por nuk dihet nëse do të japë opinionin që ky duhet të falet. Duhet ta shkruajmë ndryshe. Ta bëjmë që të thotë që plotëson vetëm kriteret ligjore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›