E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS miratojnë KQZ-në e re, reagon LSI

Komisioni i Reformës Zgjedhore miratoi dje paketën e ndryshimeve në Kodin e ri Zgjedhor, duke lënë për diskutim vetëm disa gjëra jo thelbësore. Kështu, dje u miratua formula e re të funksionimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjitha niveleve të komisioneve që administrojnë zgjedhjet. Gjatë kësaj mbledhjeje u rrëzuan propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim të dorëzuara në komision dy ditë parë. Në këtë mënyrë, KQZ-ja e re do të përbëhet nga shtatë anëtarë, ku katër anëtarë do të vijnë nga dy partitë e mëdha në vend, ndërsa dy të tjerë, do të vijnë nga partia e dytë e së majtës dhe e së djathtës, duke marrë paraprakisht miratimin e dy grupeve më të mëdha parlamentare. Ndërsa kryesimi i KQZ-së do të mbahet nga partia që qeveris. Ndërsa, propozimi i LSI-së kërkonte një KQZ me nëntë anëtarë, ku dy partitë e mëdha, PD e PS, të kenë nga dy anëtarë secila, ndërsa partitë e dyta dhe të treta të kampit të djathtë dhe të majtë nga një anëtar. Por, propozimi u rrëzua dje në mbledhjen e radhës së KQZ-së. Kjo e fundit u mblodh në pasditen e dy ditëve më parë, por pas mbërritjes në sekretarinë e komisionit të propozimeve të reja, vendimi u shty për ditën e djeshme. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Fatmir Xhafa, tha se puna po shkon drejt fundit, ndërsa kanë mbetur edhe pak çështje për t’u miratuar në mënyrë që drafti të jetë i plotë. “U vendos përfundimisht që formula e përbërjes së KQZ-së të jetë me shtatë anëtarë, nga nëntë anëtarë që ka qenë deri më tani, ashtu sikurse ishte përcaktuar edhe në draftin e ekspertëve", - deklaroi ai. Por përfaqësuesi i LSI-së në këtë komision, Spartak Braho, akuzoi sërish dy partitë e mëdha se po monopolizojnë reformën zgjedhore në dëm të demokracisë. “Me marrëveshjen e sotme ata vendosën që të rrezojnë të tëra amendamentet e paraqitura nga LSI-ja. Gjithsesi, ne nuk do të tërhiqemi”, - deklaroi Braho. Pritet që brenda kësaj jave komisioni t’i japë fund punës së tij për të kaluar më pas në duart e Komisionit të Ligjeve. Sipas formulës së propozuar nga PS-ja, KQZ-ja do të përbëhet nga 7 anëtarë, jo 9 anëtarë siç është aktualisht. Mandati i çdo anëtari të KQZ-së nga 7 vjet do të bëhet 4-vjeçar. Anëtarët e KQZ-së do të zgjidhen nga vetë Parlamenti. Kryetari i KQZ-së zgjidhet në Kuvend me një procedurë të veçantë nga anëtarët e tjerë dhe do t’i përkasë maxhorancës, ndërsa nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës. PD dhe PS do të kenë të sanksionuar në kod të drejtën për të pasur nga dy anëtarë të propozuar drejtpërsëdrejti prej tyre. Dy anëtarët e tjerë do të propozohen nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përkatësisht, njëri nga pala e opozitës dhe tjetri nga maxhoranca. Formula e paraqitur në komision e që tashmë është e miratuar ka sjellë reagimin e ashpër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila përjashtohet nga përfaqësimi si në KQZ, ashtu edhe në komisionet e tjera që administrojnë zgjedhjet. Pas zbardhjes së kësaj formule, LSI-ja i është drejtuar faktorit ndërkombëtar, ka mbledhur Konventën e Jashtëzakonshme, protestoi para selisë së OSBE-së, ndërsa pritet që sot në Parlament drejtuesit e saj të kenë reagim të ashpër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›