E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT-i: “Emigrantët mund t’i rrisin çmimet e apartamenteve”

Dërgesat kontribuojnë 30 për qind në blerjet e apartamenteve. Çmimet në Tiranë janë rritur këtë vit rreth 25 për qind

Ervin Koçi

Sezoni veror, bashkë me turistët, pritet që të sjellë edhe një rritje të re çmimesh, sidomos në disa zëra të caktuar të ekonomisë, ku prioritar do të jetë ndërtimi. Sipas INSTAT-it, apartamentet dhe dyqanet pritet të kushtojnë më shumë muajt në vijim, për shkak të kërkesave në rritje të emigrantëve për shtëpi. Vitet e fundit është vënë re një tendencë, ku emigrantët preferojnë të investojnë kursimet e tyre në blerjen e apartamenteve të reja. Shumë familje që tashmë ushtrojnë aktivitetin jetësor në emigracion kanë përmirësuar gjendjen financiare për të pasur një shtëpi të dytë në Shqipëri, qoftë në bregdet apo edhe në Tiranë. Pjesa më e madhe e transaksioneve aktuale për blerjen e apartamenteve, bazohet në kursime individuale. Po kështu edhe dërgesat e emigrantëve, vlerësohet të kontribuojnë mesatarisht me 30 për qind në financimin e blerjeve për apartamente.

Kostoja e ndërtimit

Shpenzimet në sektorin e ndërtimit më së shumti në këto tre muaj janë rritur për paga dhe materiale elektrike. Sipas të dhënave të INSTAT-it, shpenzimet për paga gjatë periudhës janar-mars 2008 u rritën 4.6 për qind dhe kryesisht shuma u përdor për rritje pagash në këtë sektor. Pas pagave në listën e shpenzimeve, ndërtuesit rendisin materialet elektrike, kostoja e të cilave u rrit me 5 për qind. Vitin që shkoi, rritja e pagave në sektorin e industrisë dhe ndërtimit shënoi një normë më të lartë, përkatësisht rreth 23 për qind dhe 19 për qind. Por, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2007, kostot e përgjithshme në sektorin e ndërtimit janë rritur me 0.7 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 3.3 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit "Shpenzime direkte" është rritur 0.4 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e shënuan nëngrupet "Shpenzime për paga" prej 4.6 për qind dhe "Shpenzime transporti" prej 2.4 për qind. Indeksi i çmimeve të grupit "Shpenzime materiale" ka shënuar ulje prej 0.8 për qind. Këtu mund të përmendim uljen e çmimeve të materialeve të ndërtimit prej 0.9 për qind. Ndërsa shpenzimet e materialeve elektrike dhe materialeve hidro-sanitare kanë shënuar rritje përkatësisht 1.5 dhe 0.8 për qind.

Çmimet e banesave

Çmimet e banesave në Tiranë janë rritur këtë vit më shumë se 25 për qind në krahasim me vitin 2006. Vëllimi i ndërtimeve e reja ishte rreth 8 për qind më i vogël në krahasim me vitin 2006. Kufizimi në dhënien e lejeve për ndërtime të reja ka frenuar rritjen e ofertës së godinave të banimit. Kërkesa për ambiente banimi vlerësohet të jetë e lartë. Rritja më e shpejtë e kërkesës në krahasim me ofertën, ka ushtruar presion në rritjen e vazhdueshme të çmimeve të banesave dhe në rënien e ritmit të rritjes të shitjeve, në sektorin e ndërtimit. Aktualisht, një pjesë e konsiderueshme e blerjeve për pasuri të patundshme kryhet me financim nga sistemi bankar. Financimi me kredi bankare ka njohur rritje, sidomos gjatë vitit të fundit. Kredia e dhënë për blerjen e pasurive të patundshme, e akorduar nga sistemi bankar, zakonisht përbën 80 për qind të vlerës së kolateralit. Të gjitha bankat e sistemit përdorin metodën e vlerës së tregut për vlerësimin e kolateralit. Bankat aplikojnë për kredinë hipotekare norma interesi fikse, si dhe norma interesi të luhatshme. Sektori i ndërtimit vazhdon të mbizotërohet nga ndërtimet e apartamenteve, duke lënë prapa zëra të tjerë strategjikë siç janë investimet në infrastrukturën rrugore.

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›