Marko Bello: “Berisha po mbron vrasësit e Remzi Hoxhës”
Partia Socialiste reagon ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit për të gjykuar në gjendje të lirë, kryetatimorin e akuzuar për vrasje, Arben Sefgjini. Deputeti i PS-së, Marko Bello, tha se vrasja e shqiptaro-maqedonasit ka qenë një krim i shëmtuar politik dhe se kryeministri Berisha po bën çmos për të mbuluar të vërtetën.
“Ky vendim dëshmon qartë kapjen në nivelin më të lartë të drejtësisë, në shërbim të kryeministrit të vendit dhe qëllimeve të tij politike, mbi të gjitha përpjekjeve të tij për t’i shpëtuar drejtësisë, duke përdorur pushtetin shtetëror. Sali Berisha është i interesuari kryesor për moszbardhjen kurrë dhe varrosjen përgjithnjë të së vërtetës tashmë të ndriçuar, të këtij krimi të pastër politik”, tha Bello. Duke shpjeguar skemën e zhdukjes së shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, deputeti Bello tha se kjo gjë ishte urdhëruar pikërisht nga ish-presidenti dhe kryeministri aktual Sali Berisha. Ai theksoi se Berisha duhet të ndërpresë kërcënimet ndaj prokurorit të çështjes dhe dëshmitarëve të kësaj ngjarjeje. “Sali Berisha demonstroi edhe njëherë se ai është autori dhe frymëzuesi i drejtpërdrejtë i kërcënimeve kriminale ndaj prokurorit Xhevat Hana, familjes së tij, madje edhe ndaj Avni Koldashit dhe dëshmitarit Ziso Kristopulli”, - tha deputeti i PS-së, Marko Bello.
28 Maj 2008