Interesat, normat vazhdojnë të rriten
Me rritjen e kërkesës për kredi, në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008, normat e interesit kanë pësuar një rritje. Sipas të dhënave të BSH-së, interesi mesatar i kredisë në lekë ka rezultuar 14.1 për qind në tremujorin e katërt 2007, nga 13.1 për qind në tremujorin e kaluar. Pesha e kredisë në lekë mbetet ende e ulët dhe interesat për këtë tregues janë të luhatshëm nga një periudhë në tjetrën, në varësi të shpërndarjes së kredidhënies. Nga ana tjetër, rritja e konkurrencës së sistemit bankar në kredidhënie ka ndikuar në ruajtjen e një niveli mesatar të normës së kredisë, pavarësisht orientimit të politikës monetare. Kjo ka sjellë dhe një ulje të lehtë të diferencës së interesave midis depozitave dhe kredisë në lekë, gjatë këtij viti. Mesatarisht, ky tregues llogaritet në 8.9 për qind, nga 9.4 për qind në vitin e kaluar. Kjo shifër është më e ulët për monedhën evropiane. Normat e interesit për kredinë në euro janë rritur gjatë vitit 2007 në përputhje me ecurinë e interesave në euro në tregun ndërkombëtar, por diferenca e tyre me depozitat në të njëjtën monedhë ka rënë në 5.25 pikë përqindjeje, nga 5.50 pikë përqindjeje gjatë vitit 2006
Bankat private, ja detyrimet ligjore për transparencën
Ligji i ri “Për bankat”, i miratuar në vitin 2006, i detyron ato që të publikojnë normat e interesave për depozitat dhe kreditë dhe mënyrën e përllogaritjes së tyre. Sipas nenit 53 të këtij ligji, “banka ose dega e bankës së huaj publikon raporte periodike. Banka dhe dega e bankës së huaj publikojnë interesat për depozitat monetare, për kreditë dhe komisionet për shërbimet e kryera, si dhe metodologjinë e llogaritjes së interesave për depozitat monetare dhe të shlyerjes së kredive për gjendjen e saj financiare dhe pozicionin ndaj rreziqeve, të paktën një herë në 3 muaj”. BSH-ja përcakton me akte nënligjore kërkesat minimale të nevojshme në lidhje me publikimet e mësipërme. Gjithashtu bankat duhet të përgatitin dhe publikojnë raportin e tyre vjetor, i cili duhet të përmbajë minimalisht, bilancin kontabël dhe zërat jashtë bilancit, llogarinë e humbje-fitimit (pasqyrat e të ardhurave dhe shpenzimeve). Raporti vjetor duhet të përmbajë dhe pasqyrën cash–flo, ndryshimet në kapitalin aksionar, raportin e ekspertit kontabël të autorizuar, pjesëmarrjet e bankës në kapitalin e shoqërive të tjera, një listë të aksionarëve të bankës me pjesëmarrje mbi 5 për qind, të kapitalit dhe të dhëna për pjesëmarrjen e tyre, një listë të administratorëve të bankës.
28 Maj 2008